🔴 Pse VLEN ende nuk është parti e vetme? Tre partitë vazhdojnë të ruajnë identitetin e tyre politik

Pas formimit të VLEN-it si subjekt politik, mbetet një pyetje që vazhdon të ngjallë debate: pse partitë që përbëjnë këtë strukturë ende nuk janë shkrirë në një parti të vetme, por vazhdojnë të funksionojnë me emrat, vulat dhe strukturat e tyre?

Edhe pse VLEN u prezantua si një projekt i përbashkët politik, realiteti institucional tregon se partitë amë vazhdojnë të jenë aktive. Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, vazhdon ta ketë aktive partinë e tij, Lëvizja Demokratike. Po ashtu, edhe Bilall Kasami vazhdon aktivitetin politik përmes Lëvizja BESA, ndërsa sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, ende lidhet me strukturat e Alternativa.

Kjo situatë ka hapur pikëpyetje te opinioni publik: nëse VLEN është një projekt i përbashkët dhe një alternativë e re politike, pse nuk ndërmerret hapi final për krijimin e një partie të vetme edhe në aspektin juridik dhe institucional?

Kritikët thonë se mbajtja aktive e partive amë krijon përshtypjen se ekziston një “derë rezervë” politike. Sipas tyre, liderët e VLEN-it mund të jenë duke ruajtur strukturat e tyre për një skenar të mundshëm ku koalicioni mund të përçahet ose të humbasë funksionin politik.

Pyetja që mbetet është: nëse besimi në VLEN është i plotë, pse nuk mbyllen partitë ekzistuese dhe nuk ndërtohet një subjekt i vetëm me një program, një strukturë dhe një identitet politik?

Sepse në politikë, ruajtja e një partie amë shpesh shihet si një sinjal se askush nuk dëshiron të heqë dorë plotësisht nga baza e vet politike.

Back To Top