Pas zvarritjes së zbatimit të premtimeve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Studentët shqiptarë, sot përsëri kanë dorëzuar kërkesë të re te institucionet, që krahas provimit të jurisprudencës, edhe provimet tjera profesionale të jepen në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.
Pas dy protestave dhe shumë premtimeve të zyrtarëve shtetëror, ende nuk ka zgjidhje që provimet profesionale të jepen edhe në gjuhën shqipe.
Për këtë, studentët sot dorëzuan kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.
Nismëtari i çështjes, Mevlan Ademi tha se këtë herë, kërkesa përfshin jo vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe provimet për noter, përmbarues dhe të gjitha provimet shtetërore që, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase.
“Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet”, tha Ademi.
Në kërkesë thuhet se rikërkojnë me vendosmëri marrjen e masave administrative të nevojshme për organizimin e menjëhershëm të këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe.
“Bazuar në nenin 2, të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr. 7/2019, dt. 14.01.2019) dhe konform dispozitave të Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (Gazeta Zyrtare e RMV-së, nr. 190/2019, dt. 16.09.2019), Ju drejtojmë këtë kërkesë për mundësimin e dhënies së provimieve të jurisprudencës, noterisë, përmbarimit si dhe provimeve të tjera shtetërore të drejtimeve tjera edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në kërkesë.
Mes tjerash theksojnë se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë, për aq kohë sa është në fuqi.
“Është e papranueshme që studentët të cilët studiojnë në gjuhën shqipe dhe i përkasin njërit prej popujve shtetformues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të diskriminohen dhe të vendosen në kushte të pabarabarta në krahasim me kolegët e tyre që studiojnë në gjuhën maqedonase”, thonë studentët.
