🔴 “Non grata”/ Osmani: Shqipëria duhet të mbetet një derë e hapur për shqiptarët kudo që jetojnë, ndërsa shqiptarët duhet ta respektojnë Shqipërinë si shtet

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me vendimin e autoriteteve shqiptare për shpalljen “non grata” të dy qytetarëve nga Çairi, duke bërë thirrje për qasje të matur dhe mirëkuptim të ndërsjellë.

Sipas Osmanit, Shqipëria ka të drejtën sovrane të marrë vendime për shtetasit e huaj dhe kjo duhet të respektohet. Megjithatë, ai thekson se ekziston edhe një realitet tjetër që nuk duhet të anashkalohet: për shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria nuk përjetohet si një shtet i huaj, por si shteti amë i kombit të tyre.

Ai vlerëson se pikërisht kjo lidhje historike, kombëtare dhe emocionale duhet të kuptohet me më shumë ndjeshmëri nga institucionet shqiptare, ndërsa njëkohësisht shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të shmangin përfshirjen në përplasjet e brendshme politike në Shqipëri.

Në reagimin e tij, Osmani shpreh bindjen se, nëse rasti i dy qytetarëve nga Çairi ka ardhur si pasojë e moskuptimit të këtyre dy realiteteve, atëherë ekziston hapësirë për sqarim dhe rishikim të vendimit.

Në përfundim, ai thekson se Shqipëria duhet të mbetet një derë e hapur për shqiptarët kudo që jetojnë, ndërsa shqiptarët duhet ta respektojnë Shqipërinë si shtet, duke e cilësuar këtë si rrugën më të mirë për ruajtjen e lidhjeve kombëtare dhe respektit institucional.

Back To Top