Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Punëve të jashtme nuk japin informata për emërimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Fetait si të Dërguar Special në Bashkimin Evropian në Bruksel, shkruan Portalb.mk.
Në fund të muajit korrik 2026, pas postit të ish-zëvendëskryeministrit për Qeverisje të mirë, Fetai u ‘shpërblye’ me detyrë të re në Bruksel, në vendin ku ka jetuar e vepruar për gjatë kohë. Nga Qeveria atij iu besua detyra e të Dërguarit Special në BE.
Megjithatë Qeveria dhe Ministria e Jashtme, pavarësisht se bëhet fjalë për detyrë dhe mjete publike, nuk tregojnë se kur ai do e fillojë këtë detyrë, sa do të paguhet dhe cilat do jenë detyrat e tij konkrete.
Këto janë pyetjet në të cilat nuk përgjigjen dy institucionet
- Kur do të fillojë punën Arben Fetai si i dërguari i ri special i shtetit në Bruksel?
- Cilat do të jenë detyrat e tij?
- A është kjo pozitë me orar të plotë pune apo bëhet fjalë për angazhim të përkohshëm/këshillues?
- Sa do të zgjasë angazhimi i tij?
- Sa do të jetë paga/kompensimi i tij?
- Nga cili buxhet do të financohet angazhimi i tij (Qeveria apo Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme)?
- A do të ketë zyrë dhe staf administrativ/profesional për mbështetje në Bruksel? Nëse po, sa persona dhe me çfarë shpenzimesh?
Kujtojmë se dje Sindikata e Gazetarëve doli me reagim se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po krijon praktikë ku sistematikisht nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Kujtojmë se, Fetai paraprakisht ka ushtruar detyrën e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, prej ku paraqiti dorëheqjen e tij më 1 qershor, dhe e njoftoi këtë në një postim në profilin e tij në Facebook. Dorëheqja erdhi pasi, Fetai nuk ishte paraqitur në punë për një kohë të gjatë, dhe sipas informacioneve nga periudha e kaluar, aktivitetet e tij të fundit publike si mbajtës i këtij pozicioni datojnë që nga marsi.
