Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar duke ngritur pikëpyetje mbi rolin real të zëvendëskryeministrave të parë shqiptarë në Qeverinë aktuale.
Sipas BDI-së, nga qershori i vitit 2024 e deri më sot, asnjë nga zëvendëskryeministrat e parë shqiptarë – Izet Mexhiti, Bekim Sali dhe Arben Fetai – nuk ka kryesuar qoftë edhe një seancë të vetme të Qeverisë.
“Mexhiti – 0 seanca. Sali – 0 seanca. Fetai – 0 seanca. Totali: zero”, thekson BDI.
Sipas partisë opozitare, kjo tregon, siç shprehet ajo, peshën reale të përfaqësimit shqiptar në institucionet e Qeverisë. BDI argumenton se nuk është e rëndësishme vetëm numri i posteve që mbajnë përfaqësuesit shqiptarë, por edhe niveli i përgjegjësive dhe vendimmarrjes që u besohet.
“Pozita mund të quhet zëvendëskryeministër i parë, mund të ketë zyrë, kabinet, veturë dhe protokoll, por nëse për më shumë se dy vjet nuk të besohet drejtimi as i një seance të vetme të Qeverisë, atëherë është legjitime të pyetet: çfarë është ‘i parë’ në këtë funksion?”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI vlerëson se në qeveritë e kaluara zëvendëskryeministrat kishin rol më të drejtpërdrejtë në bashkëqeverisje, ndërsa sot, sipas saj, funksioni është reduktuar në një rol formal.
“Shifra është e pamëshirshme: ZERO seanca të kryesuara”, përfundon BDI.
