Sa herë që Menduh Thaçi flet kundër Ali Ahmetit, shihet qartë se është mllef i grumbulluar ndër vite, mllef rivaliteti dhe pamundësie për ta pranuar një realitet politik që tashmë e ka shkruar historinë e vet ndër shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Menduh Thaçi, pas daljes nga koalicioni me BDI-në, ka filluar kudo që po arrin, në mjetet e informimit, në tubimet politike të partisë së tij, në kafene, dasma e ndeja të ndryshme, të vjellë helm e vrer kundër klandestinit, liderit shqiptar dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Menduh Thaçi mund të mos pajtohet me Ali Ahmetin, por fyerjet, etiketimet dhe gënjeshtrat janë të papranueshme.
Mund ta kritikojë Ali Ahmetin për drejtimin e tij në BDI, për vendimet e tij politike, për mënyrën e qeverisjes politike në Maqedoninë e Veriut, për koalicionet apo për çdo veprim tjetër politik, por jo edhe të bëjë të gjitha ato përpjekje për ta poshtëruar e denigruar, për të shpifur e për të gënjyer ndaj tij.
Një gjë është kritika politike dhe krejt tjetër është përpjekja për ta zhvlerësuar një kundërshtar, duke harruar rrugën historike që ai ka kaluar dhe kontributin e madh që ka dhënë në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.
Menduh Thaçi e di se Ali Ahmeti nuk u shfaq rastësisht në skenën politike, por përmes një rruge të gjatë aktiviteti, në organizata klandestine në Kosovë e jashtë saj, në Zvicër dhe në Perëndim, e deri në Amerikë.
Ali Ahmeti erdhi nga një periudhë e gjatë veprimtarie kombëtare, nga organizimi i fshehtë i shqiptarëve në ish-Jugosllavi, nga përpjekjet politike e çlirimtare dhe nga një epokë në të cilën çështja shqiptare nuk zhvillohej në studio televizive e në komoditetin e salloneve politike.
Prandaj, kur Menduh Thaçi e sulmon Ali Ahmetin, duhet ta ketë parasysh se nuk është duke polemizuar vetëm me kryetarin shumëvjeçar të BDI-së, por përballë tij është një kundërshtar politik shumë i madh, me një histori shumë më të gjatë se historia e partive politike të sotme dhe me një rol që mbështetësit e tij e lidhin drejtpërdrejt me kthesat e mëdha të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut.
Historia politike nuk mund të shlyhet me deklarata, fyerje e shpifje, etiketime e poshtërime, sepse ajo, pra Historia, nuk shlyhet as me mllef, as me akuza, as me fjalë të rënda dhe as me dosje të shpifura e të gatuara në kuzhinat e Beogradit e Moskës, jo vetëm të pabaza, por tendencioze dhe të porositura.
Të gjithë e dimë se Menduh Thaçi ka historinë dhe përgjegjësinë e vet politike në PDSH dhe në Qeverinë e IRJM-së.
Menduh Thaçi, për dekada, ka qenë pjesë e zhvillimeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe, pikërisht për këtë arsye, prej tij do të pritej më shumë argument politik dhe më pak gjuhë e ngarkuar vëllavrasëse nga rivalitetet e vjetra, shpifjet dhe ndërskamcat e oborreve e klaneve ogurzeza të agjendave sllave në përgjithësi dhe serbo-ruse në veçanti.
Populli shqiptar ka parë e dëgjuar shumë gjatë këtyre dekadave.
Verdiktin e japin Historia dhe qytetari shqiptar!
Ali Ahmeti mund të kritikohet për veprimtarinë e tij politike, sikurse çdo udhëheqës tjetër, por kritika ka peshë vetëm kur mbështetet në fakte, argumente dhe përgjegjësi politike.
Kur argumenti zëvendësohet nga mllefi, kritika e humbet fuqinë.
Dhe kur sulmet ndaj një kundërshtari përsëriten pa masë, ato mund të tregojnë më shumë për atë që i shqipton sesa për atë kundër të cilit drejtohen.
Mbi Menduh Thaçin, që po vjell vrer e helm, që po lanson tërë atë arsenal gërditës ndaj Ali Ahmetit, i cili brutalisht po goditet pas shpine e me tradhti, ndërkohë që dihet se mbi të dy qëndron një gjykatës shumë më i madh se çdo tribunë: Historia dhe Populli!
Partitë dhe drejtuesit e tyre, si në rastin konkret Menduh Thaçi kundër Ali Ahmetit, mund të të gjykojnë sipas interesit të çastit dhe sipas agjendës së shërbëtorit të shërbimit.
Njerëzit mund të heshtin, edhe të harrojnë apo ta shtrembërojnë të vërtetën, sikurse nuk do të duhej të heshtnin prokuroria dhe gjykatat, por Historia, herët a vonë, secilin e vendos në vendin që i takon.
Sepse para gjykimit të Historisë nuk vlejnë as postet, as pushteti, as propaganda dhe as duartrokitjet partiake; aty mbeten vetëm veprat, qëndrimet dhe përgjegjësia para Popullit e Atdheut!
Gentrit Krasniqi
Prishtinë, 11.08.2026
