Ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Iljas Veseli, ka reaguar ndaj heshtjes së kryetarit aktual, Muhamed Elmazi, lidhur me vjedhjen në zyrën e drejtorit të NPK-së, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Veseli thekson se, edhe pas një jave nga ngjarja, Elmazi nuk është prononcuar publikisht për të sqaruar se çfarë ka ndodhur, sa mjete janë vjedhur, si kanë qenë të siguruara paratë dhe nëse kamerat dhe masat e sigurisë kanë funksionuar.
Ai e lidh heshtjen e kryetarit me premtimin për një “komunë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme”, duke ngritur pikëpyetje nëse ky premtim ka mbetur vetëm retorikë elektorale.
Veseli kërkon që qytetarët e Sarajit të informohen për rastin dhe masat e ndërmarra, ndërsa përgjegjësit, sipas tij, duhet të mbajnë përgjegjësi. Heshtja e institucioneve, në vend të sqarimeve publike, sipas ish-kryetarit vetëm sa shton dyshimet dhe shqetësimin e qytetarëve.
