Në pesë komuna dhe disa lagje të Shkupit është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor. Deri tani, virusi ka infektuar 26 persona, ndërsa një pacient ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë apelon për kujdes dhe respektimin e masave për mbrojtje personale.
Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor është shpallur në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom, Butel dhe Ilinden, si dhe në lagje si Draçevë, Przhino, Dolno Lisiçe, Kadino dhe Jurumleri. Deri tani janë prekur 26 persona, ndërsa një pacient ka ndërruar jetë.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk ka vend për panik dhe apelojnë që të respektohen masat për mbrojtje personale nga ethet e Nilit Perëndimor.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik Shkup dhe Klinikës për Sëmundje Infektive, në konferencën e sotme për media informuan për gjendjen epidemiologjike me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
“Me kohë dhe në mënyrë transparente e informojmë opinionin për gjendjen me ethet e Nilit Perëndimor. Kjo nuk është një sëmundje e re, pasi ka qenë e pranishme edhe në vitet e mëparshme. Megjithatë, këtë vit, për shkak të gjendjes epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, është paraqitur nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional. Gjendjen e ndjekim në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën për Sëmundje Infektive, me qëllim identifikimin dhe trajtimin në kohë të rasteve, si dhe parandalimin e rasteve të reja”, theksoi Andovski.
Ai tha se nuk ka vend për panik, por nevojitet kujdes dhe përgjegjësi. Qytetarët duhet të marrin masa për mbrojtje personale, të veshin rroba të përshtatshme dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Dr. Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik informoi se deri më 11 gusht janë regjistruar gjithsej 26 raste, prej të cilave 2 janë të mundshme. Nga këto, 25 persona janë nga Shkupi, ndërsa një nga Velesi. Sa i përket moshës, dr. Goçevska theksoi se 22 persona janë mbi 60 vjeç.
“Bëhet fjalë për raste autoktone nga vendi ynë, ndërsa një person kishte udhëtuar në Greqi. Të gjitha rastet janë me formë neuroinvazive”, sqaroi dr. Goçevska.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, dr. Fadil Cana, informoi se pacientët po trajtohen në klinikë, e cila disponon kapacitetet dhe diagnostikimin e nevojshëm.
