Xhenur Iseni: VLEN-i po i transferon dështimet te Albin Kurti

Analisti Xhenur Iseni vlerëson se mbështetja e vazhdueshme e Albin Kurtit për VLEN-in po kthehet në një barrë politike për kryeministrin e Kosovës, duke i transferuar atij koston e dështimeve të aleatit të tij në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Isenit, në politikë kapitali më i vlefshëm nuk është pushteti, por kredibiliteti. Një lider mund të humbasë zgjedhje dhe ta rikthejë pushtetin, por kur fillon të humbasë besimin e njerëzve, nis edhe erozioni i autoritetit të tij moral.

Ai thekson se Albin Kurti për vite me radhë është perceptuar ndër shqiptarët e Maqedonisë si simbol i ndryshimit, idealizmit politik dhe rezistencës ndaj establishmentit të vjetër. Megjithatë, mbështetja e tij për VLEN-in, sipas Isenit, po e zbeh gradualisht atë kapital moral që është ndërtuar me dekada.

“Paradoksi është se Kurti, i cili ndërtoi filozofinë e tij politike mbi kritikën e elitave të konsumuara, sot po investon kredibilitetin e tij në një projekt që çdo ditë e më shumë po prodhon zhgënjim te shqiptarët”, thekson Iseni.

Ai shton se në shkencat politike ky fenomen njihet si “transferim i kostos politike”, kur dështimet e një aleati fillojnë t’i faturohen edhe atij që e sponsorizon politikisht.

Për shumë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, argumenton Iseni, VLEN-i nuk po bëhet vlerë shtesë për Albin Kurtin, por barrë politike. Sipas tij, nëse ekziston një njollë në imazhin që Kurti ka ndërtuar ndër vite, ajo lidhet pikërisht me VLEN-in.

“Historia politike na mëson se liderët rrallë dëmtohen nga kundërshtarët, ndërsa më shpesh dëmtohen nga aleatët që vet i zgjedhin”, përfundon Iseni.

Back To Top