Bullgaria kthen 11.6 ton speca nga Maqedonia pas gjetjes së pesticideve mbi normë

Autoritetet bullgare kanë kthyer në Maqedoninë e Veriut një ngarkesë prej 11.6 tonësh speca të freskët, pasi analizat laboratorike zbuluan prani të pesticidit formetanat mbi nivelin e lejuar.

Ngarkesa mbërriti në Bullgari përmes pikës kufitare Zlatarevo dhe ishte destinuar për një operator tregtar në Petrich. Specat u ndaluan dhe u mbajtën në një depo frigoriferike deri në përfundimin e analizave laboratorike.

Pas konstatimit se mbetjet e pesticidit tejkalonin kufijtë e lejuar, Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore urdhëroi kthimin e të gjithë ngarkesës te furnizuesi, në bashkëpunim me Agjencinë Doganore.

Autoritetet bullgare sqarojnë se specat nuk arritën në tregun bullgar, pasi e gjithë sasia ishte nën ndalim zyrtar tregtar gjatë procedurës së kontrollit.

Deri tani, institucionet bullgare nuk kanë bërë të ditur se nga cila pjesë e Maqedonisë së Veriut kanë ardhur specat. Gjithashtu, nuk është publikuar emri i prodhuesit, eksportuesit apo kompanisë që ka dërguar ngarkesën.

Back To Top