Koordinatori i VLEN-it, Bilali: Nuk kemi luftuar për këso ndryshimi – ndaloni kolonat në Tabanovcë!

Koordinatori i VLEN-it, Avni Bilali, ka reaguar publikisht për situatën e krijuar në pikën kufitare Tabanovcë, ku qytetarët dhe veçanërisht mërgimtarët po përballen me kolona të gjata dhe pritje të shumta.

Bilali thotë se nuk është luftuar për një situatë të tillë dhe kërkon që institucionet kompetente të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur një zgjidhje.

“Si kryetar i nëndegës dhe koordinator i VLEN-it, e ndjej për obligim të reagoj publikisht për situatën e krijuar në pikën kufitare Tabanovcë”, ka deklaruar Bilali.

Ai thekson se mërgimtarët nuk meritojnë të përballen me pritje të panevojshme që në fillim të rrugës, duke kërkuar që shqetësimi t’u përcillet Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrit Pançe Toshkovski dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

Sipas Bilalit, edhe në rastet kur automjetet me targa të huaja kanë kundërvajtje apo gjoba të papaguara, ekzistojnë mënyra të tjera për njoftimin dhe arkëtimin e tyre, pa krijuar kolona kilometrike në kufi.

“Institucionet kompetente duhet të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme dhe efikase. Mërgimtarët tanë duhet të ndihen të respektuar dhe të mirëpritur, jo të ndëshkuar që në hyrje apo dalje të vendit”, ka theksuar Bilali.

Ai kërkon që situata në Tabanovcë të trajtohet me seriozitet dhe urgjencë, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata dhe të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve.

Back To Top