Rama: Pusteci nuk mund të kthehet në një “cirk nacional-folklorik”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për ngjarjen e fundit në Pustec, duke e cilësuar atë si një shembull domethënës të dallimeve në botëkuptimet politike e shoqërore në Ballkan.

Rama shkruan se kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në aktivitet të luhej edhe himni shqiptar, kërkesë e cila, sipas tij, u injorua. Megjithatë, Kolefski më pas kërkoi ndjesë për një situatë për të cilën, sipas Ramës, nuk mbante përgjegjësi.

Sipas kryeministrit shqiptar, ky qëndrim e tregon Kolefskin si një “shtetar dhe qytetar të denjë të Shqipërisë Europiane”, ndërsa vlerëson edhe komunitetin maqedonoverior në Pustec.

Rama thekson se Shqipëria i ka dhënë këtij komuniteti status të posaçëm si bashki më vete, duke argumentuar se minoritetet në Shqipëri nuk shihen si statistikë, por si pasuri kombëtare dhe qytetarët minoritarë si të barabartë në liri dhe të drejta.

Në reagimin e tij, Rama kritikon gjithashtu atë që e quan ardhje të herëpashershme të “trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”, duke theksuar se Shqipëria Europiane nuk duhet të përfshihet në këtë lloj përplasjeje.

Në fund, Rama përcjell një mesazh të qartë: “Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.”

Back To Top