Pas falimentimit dhe krizës së thellë financiare, me borxhe që raportohet se arrijnë rreth 1 milion euro, FC Shkupi po përballet sërish me një situatë alarmante.
Në periudhën e fundit janë zhvilluar disa takime me presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Masar Omeragiq, ku është diskutuar për të ardhmen e klubit. Sipas pritshmërive të krijuara pas këtyre takimeve, FC Shkupi do të duhej të merrte mbështetje në aspekte të ndryshme për të dalë nga kriza dhe për të krijuar kushte për një rikthim të qëndrueshëm.
Por, pavarësisht takimeve dhe premtimeve për mbështetje, situata sot duket krejt ndryshe. Klubi është lënë sërish përballë problemeve të mëdha, ndërsa kriza financiare dhe organizative vazhdon të rëndojë mbi të ardhmen e një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Pyetja që shtrohet është e qartë: çfarë ndodhi me mbështetjen e paralajmëruar dhe pse FC Shkupi u la sërish në këtë gjendje?
Nëse pas disa takimeve me kreun e FFM-së janë krijuar pritshmëri për një zgjidhje, sot tifozët dhe opinioni sportiv kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje konkrete.
A do të ndërhyjë Omeragiq për të shpëtuar FC Shkupin, apo klubi do të lihet të përballet i vetëm me krizën që po e kërcënon seriozisht të ardhmen e tij?
FC Shkupi nuk është vetëm një klub futbolli. Për mijëra tifozë, ai përfaqëson një histori dhe një traditë të gjatë sportive. Pikërisht për këtë arsye, çdo heshtje apo mungesë e një zgjidhjeje konkrete e shton shqetësimin për të ardhmen e klubit.
