Nafie Selmani: Më i shqetësuar VLEN-i për gjykimin e Artan Grubit sesa vetë Artan Grubi

Ka diçka vërtet të pakuptimtë në agjendën politike të VLEN-it: në vend që të merret me dështimet e veta, me premtimet e pambajtura dhe me problemet reale të qytetarëve, VLEN-i vazhdon të merret me Artan Grubin, Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin.

Pse VLEN-i nuk e heq Artan Grubin nga agjenda e vet politike, vështirë të gjendet një shpjegim normal. Aq më tepër kur VLEN-i është përballur me kritika për premtimet e pambajtura dhe rezultatet e qeverisjes.

Dhe pastaj vjen shqetësimi tjetër: kush do ta zëvendësojë Ali Ahmetin?

Mjaftoi një deklaratë e Ali Ahmetit se një ditë do të tërhiqet nga pozita e kryetarit të BDI-së dhe menjëherë VLEN-i nisi analizat, parashikimet, skenarët dhe debatet se kush do ta zëvendësojë atë.

Por pse kaq shumë interes? Pse VLEN-i është më i shqetësuar për pasuesin e Ali Ahmetit sesa vetë njerëzit në BDI?

VLEN-i, pas gjithë konferencave për shtyp, takimeve, deklaratave dhe premtimeve se “do të bëhen dhe u bënë Një”, sot vazhdon të përballet me ndarje e përplasje brenda vetes, ndërsa hallin kryesor e ka te BDI-ja dhe te ajo se kush do të jetë kryetar pas Ali Ahmetit.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur shohim se çfarë ndodh brenda vetë partive të VLEN-it. Ndërkohë që për strukturën e brendshme të BDI-së VLEN-i ka analiza e parashikime të pafundme, për zhvillimet brenda partnerëve të tij politikë duket se ka shumë më pak transparencë.

Në fund, pyetja është e thjeshtë: nëse VLEN-i premtoi “ndryshimin e madh”, pse vazhdon të jetojë politikisht me BDI-në?

Ndoshta përgjigjja është pikërisht aty: pa BDI-në, VLEN-i do ta kishte shumë më të vështirë të shpjegonte vetë ekzistencën e agjendës së tij politike.

Back To Top