Është e papranueshme ajo që po u ndodh nxënësve që kanë përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë dhe kanë kaluar maturën profesionale.
Nxënësit kanë aplikuar në universitete, kanë paguar nga 800 denarë për çdo aplikim dhe kanë pritur publikimin e rezultateve të pranimit. Por, vetëm një ditë para publikimit të rezultateve, Ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe zëvendësministri Driton Sulejmani u kanë dërguar universiteteve një rregullore të re.
Sipas kësaj rregulloreje, nxënësit që kanë përfunduar provimet profesionale në shkollën e mesme të mjekësisë nuk mund të vazhdojnë arsimin e lartë jashtë fushës së mjekësisë.
Si pasojë, disa nxënës janë kontaktuar nga fakultetet dhe janë detyruar të tërheqin aplikimet e tyre. Për më tepër, ata kanë humbur afatin e parë të regjistrimit, ndërsa paratë e paguara për aplikimet nuk u kthehen.
Problemi kryesor është edhe mënyra se si është vepruar: nëse një kufizim i tillë ekzistonte, nxënësit dhe prindërit duhej të informoheshin para se të aplikonin dhe të paguanin, e jo një ditë para publikimit të rezultateve.
Kush do t’ua kthejë këtyre të rinjve afatin e humbur? Kush do t’ua kthejë paratë e paguara? Dhe mbi të gjitha, kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë?
Të rinjtë nuk mund të bëhen viktima të vendimeve të marra në momentin e fundit.
Kërkohet zgjidhje urgjente dhe mundësimi i vazhdimit të arsimit të lartë për nxënësit, duke respektuar të drejtën e tyre për të zgjedhur profesionin dhe të ardhmen e tyre.
Mos ua mbyllni dyert të rinjve! Mos ua humbni ëndrrat dhe mundësitë për të ardhmen!
