Sistemi “Safe City”, i cili hyri në fuqi më 1 të këtij muaji, është vënë në pikëpyetje pasi në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar katër nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij. Gjykata tashmë ka formuar lëndët dhe pritet që shumë shpejt të nisë shqyrtimi i tyre.
Kontestimet kryesore lidhen me pretendimet për diskriminim, pasi sistemi aktualisht është vendosur vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Sipas parashtruesve, zbatimi i pjesshëm krijon trajtim të pabarabartë të qytetarëve në pjesë të ndryshme të vendit.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, deklaroi se për lëndët do të veprohet në afat të shpejtë, por pa dhënë analiza të parakohshme. Ai theksoi se, sipas qëndrimit të tij personal, projekti ka qëllim legjitim dhe masat e parashikuara janë proporcionale me synimin për rritjen e rendit dhe sigurisë.
“Shpejt do të veprohet mbi këto lëndë dhe nuk mund të jap analiza para kohe. Qëndrimi im personal është se ky projekt ka qëllim legjitim, është i arsyetueshëm në shoqëri dhe masat janë proporcionale. Mentaliteti ndryshon me rregull”, deklaroi Kostadinovski.
Dy nga iniciativat janë dorëzuar nga dy krahët e Aleancës për Shqiptarët – ai i Ziadin Selës dhe ai i Arben Taravarit. Sipas tyre, projekti diskriminon qytetarët në baza etnike, duke pretenduar se kamerat janë të përqendruara kryesisht në zonat me popullsi shqiptare.
Gjithashtu, është kundërshtuar edhe obligimi ligjor që qytetarët të kenë numër telefoni dhe adresë elektronike për komunikimin dhe pranimin e njoftimeve për gjoba nga kundërvajtjet.
Ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, që mundësojnë funksionimin e sistemit, u miratuan në Kuvend më 23 janar me 81 vota “për”. Votën e Badenterit e siguruan deputetët e pavarur Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të jetë vendimtar për fatin e mëtejmë të projektit “Safe City”.
