Ademi: Analiza tregon se fitues real në komunat shqiptare është VMRO-DPMNE e jo VLEN
Dy javë pas mbylljes së zgjedhjeve lokale, Bashkimi Demokratik për Integrim publikoi analizën e detajuar të rezultateve në çdo vendvotim dhe komunë. Sipas nënkryetarit Arbër Ademi, të gjitha të dhënat dëshmojnë se fitues real në komunat me shumicë shqiptare është VMRO-DPMNE, falë votës së gjerë të elektoratit të saj në favor të kandidatëve të koalicionit VLEN.
Ademi theksoi se VLEN nuk ka fituar shumicën e votës shqiptare “as për kryetar komune, as për këshill”, ndërsa çdo fitore formale e tyre – sipas BDI-së – është arritur falë mbështetjes direkte të VMRO-DPMNE-së. Ai theksoi se AKI ka fituar mbi 23.000 vota më shumë nga vota shqiptare në nivel vendi.
“Ky është realiteti i dalë nga kutitë e votimit, jo retorikë politike”, deklaroi Ademi, duke nënvizuar se VMRO-DPMNE ka marrë nën kontroll disa komuna shqiptare përmes votës së elektoratit të vet.
