Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar përmes përfaqësueses së saj, Imrane Velija Alija, duke akuzuar kandidatin e VLEN-it për Çair, Izet Mexhitin, se fushatën e ka ndërtuar mbi mashtrime dhe premtime boshe. “Sot jemi këtu për të ngritur një pyetje thelbësore: A mund t’i besohet një kandidati që fushatën e tij e ndërton mbi mashtrime dhe premtime boshe?”, u shpreh Velija Alija.
Sipas saj, Mexhiti premton projekte jashtë çdo kompetence komunale, duke përmendur rrugë, bulevarde e reforma shtetërore që nuk i ka në dorë.
“Me fjalë të tjera, ai premton atë që e di se nuk mund ta realizojë. Dhe kjo është mashtrim i pastër politik,” theksoi ajo.
Në vend që të flasë për problemet reale të Çairit – mbeturinat, parkingjet, kaosin urbanistik, shkollat dhe çerdhet – Mexhiti, sipas AKI-së, zgjedh të shpërndajë premtime madhështore vetëm për të marrë votën e qytetarëve.
“Bagerë dhe punime ‘shkel e shko’, pa tenderë, shëtitën lagje më lagje, pa u publikuar emrat e kompanive dhe pa procedura ligjore”, theksoi Velija Alija.
Ajo kujtoi edhe problemet e përhershme me infrastrukturën.
“Sa herë që bie shi, banorët e Çairit luten të mos pësojnë dëme nga kanalizimet e prishura e të lëna pas dore për vite me radhë, ndërsa rrugët e shkatërruara shndërrohen në pellgje të mëdha, të pakalueshme dhe të rrezikshme”, tha Velija Alija ndërsa ngriti pyetje të drejtpërdrejta.
“Nëse për 20 vite pushtet nuk i rregulloi gjërat që ishin në kompetencën e tij, pse duhet t’i besojmë tani për gjëra që nuk i ka aspak në dorë? Nëse nuk bëri asgjë aty ku kishte pushtet, pse duhet t’i besojmë për gjëra që nuk i kontrollon? Mexhiti po bën atë që ia ka marrë dorën – mashtrimit. Për 20 vite pushtet nuk rregulloi mbeturinat, parkingjet dhe kaosin urbanistik. Tani, në vend që të flasë për dështimet e veta, shpërndan premtime boshe. Kjo është politika e mashtrimit: të flasësh për gjëra që nuk i kontrollon, vetëm për të fshehur dështimet aty ku kishe pushtet të plotë,” u shpreh përfaqësuesja e AKI-së.
Në fund, Velija Alija i bëri thirrje Mexhitit të japë një përgjigje të qartë: “Qytetarët presin të dinë se ku jeton në Çair – me qira, apo në njërën nga dhjetëra banesat e zhvatura nga krimi i ndërtimeve ilegale?”.
