Aksion i madh policor: Bie rrjeti i krimit, arrestohen emra të njohur

Një prani e shtuar policore, forca speciale në terren dhe një operacion i gjerë i koordinuar kundër botës së drogës zgjuan opinionin publik në orët e para të mëngjesit.

Sipas informacioneve jozyrtare, Ministria e Punëve të Brendshme – përmes Byrosë së Sigurisë Publike dhe Departamentit për Krim të Organizuar, në bashkëpunim me forcat speciale dhe në koordinim me Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar, ka ndërmarrë një aksion masiv në disa qytete të vendit. Operacioni po zhvillohet në Shkup, Shtip, Strumicë, si dhe në fshatin Gërçec në rajonin e Shkupit.

Burimet bëjnë të ditur se në shënjestër është një rrjet kriminal i përfshirë në tregtinë e paligjshme të kokainës. Deri më tani, raportohet për kontrolle në rreth 15 lokacione, ndërsa disa persona nga bota kriminale janë arrestuar.

Jozyrtarisht, në mesin e të ndaluarve përmenden edhe emra të njohur në qarqet kriminale, si Pokrajçevaliev, Bojadziski, Kocev dhe Vele, i njohur me nofkën “Demi”.

Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë dalë me një konfirmim zyrtar për detajet e operacionit. Nëse këto informacione vërtetohen, atëherë bëhet fjalë për një ndërhyrje serioze të policisë në struktura që për vite me radhë kanë vepruar në hije.

Sipas burimeve të sigurisë, aksioni përfaqëson një goditje të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis ndaj rrjeteve të krimit të organizuar. Analistët vlerësojnë se ky operacion mund të shënojë një kthesë të rëndësishme, duke sinjalizuar një fazë të re, më agresive në luftën kundër trafikut të drogës në vend.b

Back To Top