Ali Ahmeti me mesazh për 28 Nëntorin: Një komb, një gjuhë, një flamur – të bashkuar drejt Europës
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe orientimit europian të shqiptarëve.
Ahmeti u shpreh se kombi nderohet me vepra dhe përkushtim të përditshëm, duke theksuar obligimin e përbashkët për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Ai po ashtu theksoi se shqiptarët kudo që jetojnë mbajnë përgjegjësi për të forcuar shtetësinë e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në, si dhe për të garantuar barazi të plotë dhe integrim europian në Maqedoninë e Veriut.
Në mesazhin e tij, lideri shqiptar rikujtoi edhe amanetin ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në diasporë.
“Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë. Gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së Pavarësisë. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit”, përfundon urimi i Ali Ahmetit.
