Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të dijetarit Jakup Asipi, duke vlerësuar lart jetën dhe veprën e tij në shërbim të fesë, kombit dhe çështjes së lirisë.
“20 vite pa dijetarin Jakup Asipi (Allahu e mëshiroftë). Para veprës heshtin fjalët!”, ka shkruar Ahmeti, duke theksuar se Asipi ishte një figurë e rrallë e dijes, guximit dhe përkushtimit ndaj popullit.
Jakup Asipi lindi më 2 shkurt 1951 në fshatin Sllupçan. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Damask të Sirisë. Studimet universitare i përfundoi në universitetin prestigjioz Al-Az’har në Egjipt, ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit.
Gjatë viteve 1985–1990, Asipi shërbeu si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku dha një kontribut të çmuar në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore dhe kombëtare. I vetëdijshëm për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në trojet e veta, në vitin 1990 ai u kthye në vendlindje për të kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e situatës.
Sipas Ahmetit, në ligjëratat e tij Jakup Asipi ishte i përpiktë dhe i guximshëm, duke u përballur me presione, kërcënime dhe thirrje të shpeshta nga autoritetet e kohës.
Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, Asipi u angazhua si një ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e rezistencës, i bindur se vetëm përmes kryengritjes populli mund t’i siguronte liritë dhe të drejtat e veta.
Jakup Asipi ndërroi jetë më 7 janar 2006, në një aksident trafiku në autostradën Shkup–Kumanovë, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme fetare, kombëtare dhe shoqërore.
