Ali Ahmeti përkujton 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të revolucionarit Rafi Halili

Me rastin e shënimit të katërvjetorit të ndarjes nga jeta të revolucionarit Rafi Halili, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar figurën dhe veprën e njërit prej personaliteteve të rëndësishme të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.

Në një deklaratë publike, Ahmeti vlerësoi kontributin e Rafi Halilit në përpjekjet e pandërprera për liri, drejtësi dhe barazi, duke theksuar rolin e tij në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe veprimin politik e revolucionar të kohës.

“Rafi Halili ishte një nga figurat që i përkiste brezit të veprimtarëve që e kuptuan se ndryshimi kërkon guxim, përkushtim dhe sakrificë. Ai drejtoi organizatën revolucionare ‘Kushtrimi i Lirisë’, si dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila shërbeu si zë i rezistencës politike dhe organ i rëndësishëm i veprimit kombëtar”, ka deklaruar Ahmeti, duke kujtuar edhe bashkëveprimin e Halilit me Rexhep Malën dhe Gafurr Lokun.

Në përfundim, kryetari i BDI-së theksoi se jeta dhe vepra e Rafi Halilit mbeten pjesë e trashëgimisë kolektive kombëtare dhe një burim frymëzimi për brezat që vazhdojnë rrugën e angazhimit për dinjitet, barazi dhe liri.

“Lavdi jetës dhe veprës së tij”, përfundon deklarata e Ali Ahmetit.

Back To Top