Edhe pse kanë kaluar vite nga tragjedia e spitalit modular në Tetovë, premtimi për ndërtimin e parkut memorial në nderim të viktimave vazhdon të mbetet vetëm në letër. Punimet ende nuk kanë nisur dhe në terren nuk është hedhur asnjë lopatë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i pyetur për vonesat, përgjegjësinë ia ka adresuar Komunës së Tetovës, duke deklaruar se administrata komunale “beson se i ka përfunduar ose është në përfundim të procedurave në nivel komunal” dhe se Ministria po pret lejen përkatëse për të vazhduar më tej.
Në anën tjetër, Komuna e Tetovës nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar lidhur me këtë çështje. Heshtja institucionale vetëm sa thellon paqartësitë dhe zhgënjimin e familjarëve të viktimave dhe të opinionit publik, të cilët prej kohësh presin që premtimi për parkun memorial të shndërrohet në vepër konkrete.
Ndërsa institucionet vazhdojnë të shkëmbejnë fajësime, kujtimi i viktimave mbetet pa një hapësirë dinjitoze përkujtimore, duke e kthyer këtë çështje në simbol të neglizhencës dhe mungesës së përgjegjësisë.
