Alternativa ende s’e ka dhënë fjalën e fundit për VLEN-in – çka po kalkulohet brenda partisë?

Alternativa ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me procesin e unifikimit brenda koalicionit VLEN. Hapi i radhës pritet të ndërmerret të mërkurën, kur do të mblidhet kuvendi i partisë.

Këtë e bëri të ditur nënkryetari i Alternativës, Afan Elezi, gjatë një paraqitjeje në emisionin Click Plus. Ai tha se në mbledhjen e kuvendit pritet të marrin pjesë rreth 115 anëtarë, të cilët do të japin sugjerimet e tyre për mënyrën se si duhet të realizohet unifikimi brenda VLEN-it.

Sipas Elezit, Alternativa nuk është pengesë për rrugën e VLEN-it drejt bashkimit në një parti të vetme. Përkundrazi, ai theksoi se Alternativa ishte ndër të parat që ndërmori hapa për unifikim dhe se është një nga subjektet që ka kontribuar në themelimin e koalicionit VLEN.

Megjithatë, ai nënvizoi se partia nuk dëshiron të nxitojë me vendime të rëndësishme. “Punët që bëhen shpejt jo gjithmonë janë të mira”, u shpreh Elezi, duke shtuar se Alternativa synon që procesi të zhvillohet me kujdes dhe në koordinim me subjektet e tjera të VLEN-it.

Back To Top