Arrestimet e mbrëmshme në Kumanovë, BDI: Akti i policisë një akt i hapur albanofobie
Dega e BDI-së në Kumanovë ka reaguar lidhur me arrestimet e mbrëmshme të të rinjve, të cilët po feston Ditën e Flamurit në Kumanovë. Nga BDI reagimin e policisë e cilësojnë si të padrejt dhe të papranueshëm, transmeton
“Dega e BDI-së në Kumanovë shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën e saj lidhur me arrestimin e të riut kumanovar, Ardi Saiti, i cili mbrëmë u ndalua nga ana e policisë vetëm pse gjatë festës sonë kombëtare mbante në dorë flamurin kombëtar shqiptar. Ndaj tij madje është proceduar edhe lënda në Prokurori, gjë që e konsiderojmë të padrejtë dhe të papranueshme”, thuhet në reagimin e BDI-së Kumanovë.
Sipas BDI-së, edhe më shqetësues mbetet fakti se arrestimi është kryer nga i njëjti polic që vitin e kaluar përdhosi flamurin tonë kombëtar, person i njohur në Kumanovë me nofkën “Kasapi”, i cili, në vend që të përballej me masa disiplinore për aktet e tij, vazhdon të avancohet brenda strukturave policore.
“Kjo qasje e institucioneve jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve, por përbën edhe një akt të hapur albanofobie”.
Dega e BDI-së në Kumanovë kërkon sqarim të menjëhershëm nga organet kompetente, përgjegjësi institucionale dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnik. “Ne do të ndjekim nga afër këtë rast deri në sqarimin e plotë të tij dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve tanë”, përfundojnë nga partia.
Policia ka njoftuar se ka arrestuar mbrëmë tre adoleshentë në Kumanovë.
“Më 28.11.2025 në Kumanovë, gjatë festimeve me rastin e Ditës së Flamurit Shqiptar, rreth orës 21:45, zyrtarë policorë nga SPB Kumanovë kanë privuar nga liria A.S. (18) nga Kumanova, nën dyshimin se ka kryer vepër penale sipas nenit 319 të Kodit Penal, “shkaktim të urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës nacionale, racore dhe fetare”.
Poashtu, rreth orës 22:50 janë shoqëruar në polici edhe dy persona të mitur. Njëri ka refuzuar të identifikohet dhe ka qenë me maskë (fantomkë), ndërsa te i mituri tjetër është gjetur një mjet i fortë”, njoftoi e policia në lidhje me incidentin.
