“Asgjë nuk është e rastit” – Daut Dauti ngre alarmin për një strategji të fshehtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit
Një reagim i fortë ka ardhur nga Daut Dauti, i cili përmes një postimi publik ka ngritur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet politike në vend. Sipas tij, asgjë nuk po ndodh rastësisht, por bëhet fjalë për një strategji të mirëplanifikuar “hap pas hapi”.
Dauti thekson se gjithçka ka nisur me kontestimin e ligjit të gjuhëve dhe vazhdon me iniciativa që, sipas tij, paraqiten si “forcim i përfaqësimit”, por që në thelb synojnë ndryshime më të thella dhe të rrezikshme. Ai paralajmëron se qëllimi final mund të jetë dobësimi apo edhe suprimimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.
Në reagimin e tij përmendet edhe viti 2030, që sipas tij lidhet me regjistrimin e popullsisë dhe një skenar ku për shkak të emigrimit masiv mund të ndryshojnë raportet etnike, duke ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat e fituara, përfshirë edhe kategorinë kushtetuese të “20 përqindëshit”.
Postimi mbyllet me një metaforë të fortë, duke krahasuar situatën me një rrezik të afërt që shpesh neglizhohet, ndërsa paralajmëron për pasojat që mund të vijnë nëse këto zhvillime vazhdojnë pa reagim.
