Në Maqedoninë e Veriut ndodhi një akt i papranueshëm dhe provokues për qytetarët e vendit, veçanërisht për shqiptarët. Një delegacion shtetëror serb, me protokoll zyrtar, vendosi një pllakë përkujtimore për nënkolonelin e ushtrisë serbe dhe vojvodën çetnik Voin Popoviq – i njohur si Vojvoda Vuk, i cili në vitin 1916 mori pjesë në okupimin e territoreve tona.
Ceremonia u shoqërua me himnin e Serbisë, me pjesëmarrjen e ministrave të Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesve të ushtrisë dhe klerit serb, si dhe me vendosjen e kurorave. Ky veprim nuk është vetëm një përkujtim historik, por një mesazh i qartë politik: Serbia demonstron se në Maqedoninë e Veriut mund të ngrihen monumente për figura të saj ushtarake e çetnike, pa marrë parasysh ndjenjat e popullsisë vendase, sidomos të shqiptarëve që kanë qenë viktima të këtyre politikave.
Kush ishte Vojvoda Vuk?
Voin Popoviq (1881–1916) ishte nënkolonel i ushtrisë serbe dhe komandant çetnik, i përfshirë në luftimet për Maqedoninë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Ai u bë një nga simbolet e ekspansionizmit ushtarak serb, përfshirë okupimin e territoreve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Aleanca për Shqiptarët e dënon fuqishëm këtë akt skandaloz dhe shovinist, duke e cilësuar provokim të drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve. Heshtja e Qeverisë së Mickoskit përballë këtij rasti tregon dobësi dhe bashkëpunim të heshtur me projektin e “Botës Serbe”, ndërsa VLEN dëshmon pafuqinë për ta parandaluar.
Kërkojmë reagim të menjëhershëm institucional dhe shpjegim pse është lejuar ky turp në territorin tonë. Maqedonia e Veriut nuk është fushë për ekspansionizëm serb dhe nuk do të lejojë rehabilitimin e figurave çetnike që simbolizojnë okupim, shtypje dhe dhunë ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve.
