Autostrada Shkup-Bllacë do të ndërtohet me projektin e vjetër që u nënshkrua në korrik 2022.
Kaltrina Zekolli në emisionin PODGO pranoi që nuk kan arritur të gjejnë alternativë tjetër më të lirë dhe se autoritetet në vend kanë hequr dorë nga anulimi i projektit fillestar dhe ndryshimi i trasesë.
Fillimisht ishte planifikuar që ndërtimi i saj të zgjasë tre vjet, kështu që përfundimi i saj mund të pritet në vitin 2028. Nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” thonë se autostrada prej 10 km do të ndërtohet sipas projektit fillestar
Njëherësh sipas programit vjetor të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, theksohet se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë faza e dytë, financohet edhe me një grant të siguruar nga Bashkimi Evropian dhe hua nga Banka Evropiane për Zhvillimi dhe Rindërtim që u siguruan nga qeveria e kaluar.
Një kredi prej 167.6 milionë eurosh nga BERZH për ndërtimin e autostradës do të plotësohet nga një grant i BE-së prej 20.8 milionë eurosh, si dhe 8.8 milionë euro në financim për bashkëpunim teknik për përgatitjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Këto të fundit po ofrohen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për fazën e dytë prej 10.5 kilometrash nga fshati Bllacë deri në Shkup u nënshkrua në korrik 2022 për një vlerë prej 186 milionë eurosh.
Qytetarët ndjehen të revoltuar pasi 2 vite u vonua procesi i ndërtimit ku qeveria e re tentonte të shqyrtojë ndonjë mundësi për një trase alternative, më të favorshme dhe tani përsëri i kthehet projektit fillestar.
Qytetarët meritojnë të ngasin veturat në rrugë moderne, të shpejta dhe të sigurta, rrugë që nënkuptojnë përfundimin e infrastrukturës rrugore evropiane, perspektiva, zgjedhjen e prosperitetit ekonomik.
