Një zhvillim i papritur politik po trondit radhët e Aleanca për Shqiptarët (ASH), ndërsa sinjalet për përçarje brenda strukturave po bëhen gjithnjë e më të qarta. Burime brenda partisë bëjnë të ditur se mospajtimet mes Aliut dhe Fetait kanë arritur kulmin, duke çuar drejt një ndarje të hapur politike mes tyre.
Sipas informacioneve jozyrtare, përplasjet lidhen me drejtimin strategjik të partisë, pozicionimin ndaj koalicioneve të ardhshme dhe mënyrën e përfaqësimit të elektoratit. Mbështetësit e të ashtuquajturës “rruga e Arbërit” – një metaforë e përdorur shpesh për kursin politik më reformist dhe më të ashpër opozitar – tashmë përballen me dilema të reja: a do të rreshtohen pas njërit krah apo do të kërkojnë një alternativë të tretë brenda spektrit politik shqiptar?
Analistët vlerësojnë se kjo ndarje mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në konsolidimin e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sidomos në prag të zhvillimeve të reja politike. Nëse përçarja thellohet, rrezikohet fragmentarizimi i votës dhe dobësimi i ndikimit politik të ASH-së në skenën vendore.
