BDI – Dega e Çairit themelon Qendrën për Mbrojtje Ligjore dhe Barazi në Administratë
Në një kohë kur raportohen gjithnjë e më shumë shqetësime për trajtimin e punonjësve shqiptarë në administratën publike dhe shtetërore, BDI – Dega e Çairit ka ndërmarrë një hap konkret duke shpallur themelimin e Qendrës për Mbrojtje Ligjore dhe Barazi në Administratë.
Sipas njoftimit zyrtar, muajt e fundit janë karakterizuar nga një sërë rastesh që përfshijnë presion sistematik ndaj punonjësve shqiptarë, duke filluar nga zhvendosje arbitrare në vendin e punës, mungesë kushtesh bazë për ushtrim të detyrës, deri te masa disiplinore pa bazë ligjore dhe suspendime të dyshimta. Këto veprime, siç theksohet, synojnë krijimin e një ambienti të papërballueshëm për punonjësit, duke i detyruar ata të largohen vetë nga administrata.
Në këtë kontekst, themelimi i kësaj qendre synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për të gjithë punonjësit e administratës që jetojnë në Shkup dhe përballen me shkelje të të drejtave të tyre në vendin e punës.
Qendra do të funksionojë me një ekip juristësh, ekspertësh të administratës publike dhe profesionistësh të fushave përkatëse, të cilët do të ofrojnë këshillim juridik falas për çdo rast të paraqitur.
Nga java e ardhshme, çdo punonjës i administratës që jeton në Shkup mund të drejtohet pranë kësaj qendre çdo ditë pune nga ora 16:00 deri në 19:00 për të paraqitur rastin e tij. Çdo denoncim do të trajtohet në mënyrë individuale, me analizë të plotë ligjore dhe me rekomandime konkrete për hapat e mëtejshëm.
Nga Dega e Çairit bëhet e ditur se, në varësi të rasteve, do të ndërmerren edhe veprime shtesë institucionale dhe publike për të adresuar shkeljet dhe për të kërkuar përgjegjësi.
Parimet mbi të cilat do të funksionojë kjo qendër përfshijnë profesionalizmin në trajtimin e rasteve, konfidencialitetin e plotë për denoncuesit, qasje të hapur për të gjithë dhe ndjekje të rasteve deri në zgjidhje.
Ky mekanizëm konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të punonjësve dhe forcimit të barazisë në institucionet publike.
Nga BDI – Dega e Çairit u bëhet thirrje të gjithë punonjësve që përballen me padrejtësi të mos heshtin, por të paraqiten dhe të kërkojnë mbrojtjen që u takon me ligj.
