Bashkimi Demokratik për Integrim në Çair ka themeluar Sekretariatin për Parandalim dhe Anti-Korrupsion (SPAK), një mekanizëm të ri profesional me mision të qartë: rritjen e transparencës, forcimin e përgjegjësisë dhe ushtrimin e presionit publik kundër korrupsionit në nivel lokal.
SPAK do të funksionojë pranë Bashkimi Demokratik për Integrim – Çair dhe do të përbëhet nga profesionistë vullnetarë të fushave kyçe si juridiku, ekonomia, urbanizmi dhe administrata publike. Qëllimi është monitorimi sistematik i veprimeve të komunës, identifikimi i shkeljeve dhe informimi i qytetarëve mbi çdo rast keqpërdorimi të fondeve publike apo tolerimi institucional.
Sipas njoftimit, fokusi i SPAK do të jetë në disa drejtime thelbësore: ndërtimet pa leje dhe përgjegjësia e institucioneve për to, prokurimet publike dhe shpërndarja e fondeve komunale, si dhe transparenca në vendimmarrjen lokale. Çdo indicie për korrupsion do të analizohet profesionalisht dhe do të bëhet publike, duke krijuar presion të vazhdueshëm për llogaridhënie.
Krijimi i SPAK vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve për keqqeverisje dhe mungesë kontrolli në Çair. Me këtë hap, BDI synon të vendosë standarde të reja të mbikëqyrjes qytetare dhe të tregojë se lufta kundër korrupsionit fillon nga niveli lokal.
Transparencë, përgjegjësi dhe presion publik – këto janë shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet veprimtaria e SPAK, me synimin që Çairi të mos jetë më simbol i problemeve, por shembull i reagimit institucional dhe qytetar ndaj korrupsionit.
