Në grupin e Azir Aliut thonë se nuk do ta pranojnë propozimin e parë që Fetai të jetë nënkryetar, sipas propozimit fillestar. Nënkryetar, sipas tyre, do të jetë deputeti Ilir Demiri, dikur i AKI-së nga grupi i Ziadin Selës
Shkup, 28 shkurt – Ne kemi propozuar modelin me rotacion, gjithëpërfshirës, i barabartë për të gjithë faktorët të cilët e përbëjnë VLEN-in. Kështu ka thënë për RTVM-në zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në Ministrinë për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ndërsa është përgjigjur për modelin e <span;>shndërrimit të VLEN-it në një parti.
Sali ka këmbëngulur se modeli më i mirë dhe i pranueshëm është ai me rotacion të kryetarit. “Mirëpo, do të shohim a do të jetë model i kapur nga të gjithë aktorët brenda VLEN-it”, deklaroi Sali.
I pyetur rreth shkrirjes së Alternativës në VLEN, Sali ka nënvizuar se Alternativa e para e ka bërë hapin drejtë shkrirjes në VLEN, duke dhënë dorëheqje kryetari i saj.
“Nëse ju kujtohet, Alternativa e bëri hapin e parë. Me dorëheqjen e ish-kryetarit të partisë politike i cili tha unë nuk e ndjej veten që duhet të jam pjesë e procesit të bashkimit të VLEN-it si një parti politike. Dhe e bëri hapin e parë duke lënë hapësirë që të jetë i zëvendësuar. Dhe në mënyrën më demokratike e dëshmoi se të gjithë ne jemi të përkohshëm. Edhe unë jam i përkohshëm në Alternativë. Nesër mund të jam edhe i përkohshëm në VLEN. Jam i përkohshëm edhe në ekzekutiv. Kështuqë, të gjithë ne në forma të ndryshme kemi dëshmuar se jemi të gatshëm për këtë proces. Dhe se do ta përkrahim. Deklaratat e llojit të dorëheqjes nga Kryesia Qendrore për hir të formimit të VLEN-it. Së shpejti do të mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Qëndror për ta diskutuar për shkrirjen e strukturave politike”, deklaroi Sali.
Ndryshe nga Bekim Sali i Alternativës, që nuk pajtohet me vetëm dy kryetarë – Bilall Kasamin dhe Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri Arben Fetai duket se është tërhequr nga kërkesa që VLEN-i të ketë katër kryetarë. Pasi ministri Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa i kthyen “shpinën”, Fetai shpejtoi të shpallë moratorium të organeve të ASH-së së mbetur dhe të tregohet i gatshëm për bashkimin sa më të shpejtë të VLEN-it.
Megjithatë, në grupin e ministrit Azir Aliu, që ka grumbulluar një numër të madh zyrtarësh, i kontestojnë vendimet e marra të të ashtyquajturit “Kuvendi i ASH-së së Arben Fetait”, pasi siç thonë, askush nuk e ka emëruar kryetar Kuvendi e as që ka patur organe partiake për të shpallur moratorium. Në këtë grup të Aliut, thonë se nuk do ta pranojnë propozimin e parë që Fetai të jetë nënkryetar, sipas propozimit fillestar. Kandidat që pjesa e mbetur e ASH-së të Fetait për nënkryetar do ta propozojë deputetin Ilir Demiri, dikur i AKI-së nga grupi i Ziadin Selës.
Ndryshe, propozimi i LD-së dhe BESËS ishte që Mexhiti dhe Kasami të jenë bashkëkryetarë, ndërkohë që Sali dhe Fetai nënkryetarë, derisa sekretar gjeneral Bekim Qoku i Vetëvendosjes. Pushteti në VLEN, sipas këtij propozimi, ishte 35% për strukturat e LD-së, 35% për BESËN, nga 10% për Alternativën dhe ASH-në e Fetait, ndërsa 5% për Qokun dhe 5% për Lëvizjen Arbëria.
