Blerim Bexheti: Akuza ndaj meje është persekutim politik i orkestruar nga Mickoski
Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj kallëzimit penal të ngritur nga Policia Financiare, duke e cilësuar atë si një veprim tërësisht politik, të porositur dhe të orkestruar nga Kryeministri Hristijan Mickoski me qëllim ushtrimin e presionit ndaj deputetëve shqiptarë dhe rritjen e shumicës parlamentare.
Në konferencën për media, Bexheti deklaroi se të gjitha procedurat në komunë janë zhvilluar brenda kornizës ligjore dhe se pretendimet për dëm financiar janë “tërësisht të sajuara”. Ai theksoi se kallëzimi penal, sipas tij, është një tentativë për të frikësuar dhe delegjitimuar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve.
Bexheti paralajmëroi padi kundër drejtuesve të Policisë Financiare — Drejtorit Slobodan Ivanovski, Zëvendës Drejtorit Ilber Imeri dhe dy zyrtarëve të tjerë — duke i quajtur ata “një grup të organizuar që po zbatojnë një skenar të pastër persekutimi politik”.
Ai u shpreh se urdhrat për këtë proces vinë drejtpërdrejt nga Kryeministri Mickoski, të cilin e akuzon për tentativë presioni ndaj deputetëve të BDI-së.
“Ne nuk do t’i nënshtrohemi presionit. As unë dhe asnjë deputet i BDI-së nuk do të bashkohet me këtë agjendë politike. Kjo padi është e sajuar, e motivuar politikisht dhe do të dështojë”, deklaroi Bexheti.
Ai nënvizoi se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale dhe Ligji i Ndërtimit përcaktojnë qartë kompetencat e kryetarit të komunës për lëshimin e lejeve ndërtimore, dhe se çdo akt është kryer mbi bazën e planifikimit urbanistik të vlefshëm.
“Pretendimi për dëm prej ‘108 milionë denarësh’ është një shpifje e fabrikuar për spektakël mediatik. Nuk ka asnjë dëm — as edhe një denar,” tha ai, duke shtuar se e gjithë çështja përbën një sulm ndaj dinjitetit dhe vullnetit politik të shqiptarëve.
Bexheti përfundoi duke theksuar se persekutimi politik nuk do të mbetet pa përgjigje:
“Mickoski duhet ta dijë se ne nuk do të heshtim. Ne do ta demaskojmë këtë persekutim politik dhe do ta vërtetojmë të vërtetën në çdo instancë — ligjore, institucionale dhe politike.”
