Duke iu drejtuar qytetarëve në Çair, Osmani i quajti deklaratat e fundit të sinkronizuara se “nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme” shenjë paniku nga disfata e pritshme e VLEN-it.
“Kur dalin të koordinuar me të njëjtat deklarata se nuk do të ketë zgjedhje parlamentare, kjo është shenjë paniku. Ata janë në panik”, tha Osmani, duke pohuar se pikërisht frika nga rezultatet e ka shtyrë VMRO-DPMNE-në të dërgojë emisare te BDI-ja me propozim që të hyjë në qeveri pas zgjedhjeve lokale.
“Çdo ditë na dërgojnë emisare që ne të hyjmë në qeveri pas zgjedhjeve të tetorit. Drejtpërdrejt nga VMRO-DPMNE. Sepse i shohin rezultatet. Rezultatet janë tre kundrejt një”, tha Osmani.
Osmani u dërgoi një mesazh të qartë se një skenar i tillë nuk do të kalojë. Në stilin e një manifesti zgjedhor, ai e hodhi poshtë modelin e “tregtisë politike”, ku, siç tha, partitë dhe përfaqësuesit ndërrohen sipas vullnetit personal të kryeministrit, pa legjitimitet zgjedhor.
“Ne nuk jemi popull që mund të nënvlerësohet. Dil ti, hyr ti”, tha Osmani dhe shtoi: “Nuk ka poshtërim më të madh sesa kryeministri të të caktojë përfaqësuesit.”
Ai e quajti këtë përpjekje për një poshtërim institucional të tërë komunitetit, ku sipas tij, pakicat trajtohen sikur të mos kenë sovranitet.
“Nuk mund të na nënshtroni më. Mund të uleni me ne, me fituesin. Jo me ne si të tillë, por me fituesin. Me atë që ka një votë më shumë nga populli shqiptar”, deklaroi Osmani, duke insistuar se çdo qeveri legjitime duhet të formohet në bashkëpunim me përfaqësuesin politik që do të fitojë besimin e shumicës së votuesve shqiptarë.
Mesazhi qendror i fjalimit ishte i qartë: “Ne nuk pranojmë që të na merrni e të na jepni. Këtë mund ta bëni me të tjerët që në heshtje kanë pranuar statusin e vasalit”, tha Osmani.
Osmani e paraqiti qëndrimin e tij politik si rezistencë kundër “regjimit të nënshtrimit” dhe kërkoi një model të ri të koalicionit të barabartë, ku “të negociohet për barazi të plotë, për Marrëveshjen e Ohrit, për bashkëjetesën dhe rrugën drejt BE-së.”
“Ju nuk merrni qeveri e as zgjidhni kë të doni që të na udhëheqë. Populli vendos kush hyn e kush del”, theksoi Osmani.
