Deputeti i Aleanca për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, ka bërë të ditur se problematika e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe do të trajtohet seriozisht në nivel institucional dhe kushtetues.
Së bashku me Hamzën si përfaqësues i FRASH, Shaqiri zhvilloi një takim me studentët Jonin dhe Mevlanin, ku u diskutua hapur për vështirësitë reale me të cilat përballen studentët shqiptarë në procesin e dhënies së provimit të jurisprudencës.
“Si përfaqësues të qytetarëve, e kemi obligim që këtë çështje ta trajtojmë me përgjegjësi të plotë. E drejta për arsim dhe për përdorimin e gjuhës amtare është e garantuar dhe nuk mund të cenohet”, theksoi Shaqiri.
Ai nënvizoi se do të kërkohen zgjidhje konkrete përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë, në mënyrë që provimi të jetë i qasshëm në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë studentët, pa dallim.
Nga ana tjetër, u shpreh mirënjohje për studentët që ngritën zërin për këtë çështje, duke e cilësuar iniciativën e tyre si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe angazhimit për të drejtat arsimore.
