Çfarë do të thotë “karakteri unitar i shtetit” dhe pse po e thekson BDI sot

Kohët e fundit, Bashkimi Demokratik për Integrim po flet më shpesh për ruajtjen dhe forcimin e karakterit unitar të shtetit. Kjo ka krijuar paqartësi te disa qytetarë, sidomos te votuesit shqiptarë: a do të thotë kjo që shqiptarët pranojnë të mbeten pakicë? A bie kjo ndesh me decentralizimin dhe me barazinë?

Përgjigjja është e thjeshtë: jo.

Në të drejtën kushtetuese, “shtet unitar” nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, as me numra, as me shumicë apo pakicë. Karakteri unitar do të thotë që shteti ka një territor të pandarë dhe një burim të vetëm të ligjit. Ligjet vlejnë njësoj në Shkup, Tetovë, Kumanovë apo Manastir. Nuk ka zona me rregulla të ndryshme, nuk ka territore “të veçanta” për grupe të veçanta.

Kjo është pikërisht arsyeja pse BDI dhe Ali Ahmeti e theksojnë unitetin sot. Sepse alternativë e një shteti unitar nuk është barazia, por përkufizimi territorial. Dhe ndarja territoriale do të thotë kufizim: shqiptarët “këtu”, të tjerët “aty”. Kjo do të nënkuptonte që të drejtat dhe mundësitë lidhen me hartën, jo me qytetarin.

Pozicioni i BDI-së ka qenë gjithmonë i kundërt me këtë logjikë. Barazi kudo, për çdo qytetar, pa marrë parasysh se ku jeton. Prandaj u shty ideja e presidentit konsensual. Prandaj u normalizua fakti që vendi mund të ketë kryeministër shqiptar, ministër të jashtëm shqiptar, drejtues institucionesh shqiptare. Jo si përjashtim, por si e drejtë që buron nga qytetaria, jo nga territori.

Kur flitet për karakter unitar, mesazhi është i qartë: nuk duam zgjidhje gjeografike për çështje etnike. Nuk duam barazi të kufizuar në komuna apo rajone. Duam barazi në gjithë shtetin, nga një burim i vetëm ligji, për të gjithë njësoj.

Prandaj insistimi në unitet nuk është dobësim i pozitës së shqiptarëve. Është pikërisht e kundërta: garanci që barazia të mos mbyllet në kufij lokalë, por të vlejë në çdo institucion dhe në çdo cep të vendit.

Back To Top