Cilësi apo standarde të dyfishta? Rilind Ademi ngre alarmin për Propozim-Ligjin e ri për Arsimin e Lartë
Debati rreth Propozim-Ligjit për Arsimin e Lartë po merr dimensione të reja, pasi njohësi i çështjeve arsimore, Rilind Ademi, ka ngritur publikisht dilema serioze mbi kriteret që parashihen në draftin aktual.
Sipas Ademit, pretendimi se ligji i ri garanton “cilësi” bie ndesh me disa dispozita konkrete të tij.
Ai i referohet nenit 161 (paragrafi 1, pika 1), ku përcaktohet se një kandidat për titullin Docent duhet të ketë mesatare kumulative 8 në të gjitha ciklet e studimit. Sipas interpretimit të tij, kjo nënkupton se një profesor universitar mund të ketë pasur mesatare 6,5 në studimet deridiplomike, por të kompensojë me një mesatare shumë të lartë në ciklin e dytë, duke përmbushur kështu kriterin formal. “Kjo hap dilema serioze mbi standardin real akademik që po vendoset,” thekson ai.
Në të njëjtën kohë, Ademi problematizon edhe nenin 42 (paragrafi 5), që ka të bëjë me Këshillin Nacional. Sipas tij, në draftin e ri është hequr pjesa që kushtëzonte anëtarët e këtij këshilli me punime shkencore dhe kritere të matshme akademike. Ai vë në dukje se kjo krijon një situatë paradoksale: ata që hartojnë politikat kombëtare të arsimit të lartë nuk do të jenë të detyruar të plotësojnë kritere të rrepta shkencore (si publikime në WoS apo H-indeks të lartë), ndërsa të rinjtë që synojnë avancim akademik përballen me standarde më të ashpra.
Sipas Ademit, kjo qasje rrezikon të krijojë standarde të dyfishta dhe të minojë besimin në sistemin universitar. Ai bën thirrje për rishqyrtim të dispozitave të kontestuara dhe për një debat të hapur publik, me qëllim që ligji për arsimin e lartë të ndërtohet mbi baza të qarta meritokracie dhe barazie kriteresh për të gjithë.
Debati pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa komuniteti akademik kërkon sqarime të detajuara mbi ndikimin real të këtij propozim-ligji në cilësinë e arsimit të lartë në vend.
