Shkruan Ylli Paçuku në Facebook:
E nderuar deputete Saranda Imeri Stafai,
Shoh se keni reaguar me një postim ndaj videos sime, ku flas për kreditë prej 40 milionë euro për shkolla dhe konvikte, si dhe për mënyrën se si po shpërndahen këto investime. Duke qenë se në profilin tuaj nuk lejohet komentimi, po ju drejtohem publikisht.
Në vend që të flasim për thelbin e problemit, debati po zhvendoset drejt lojërave me fjalë dhe relativizimeve.
Në videon time nuk kam thënë “tërësisht”, por “pothuajse tërësisht”. Ky dallim ka peshë, sepse nënkupton se mund të ketë përjashtime të izoluara, por orientimi i përgjithshëm i investimeve mbetet i njëanshëm.
Zëvendësministri i Financave dje në Parlament lexoi listën zyrtare të projekteve: konvikte dhe shkolla në Shkup, Manastir, Shtip, Prilep, Ohër dhe Veles.
Struga, sikurse asnjë qytet me shumicë shqiptare, nuk u përmend askund.
Prandaj pyes shumë thjeshtë dhe konkretisht:
– Sa studentë shqiptarë ka në konviktet e Prilepit?
– Sa në Shtip?
– Sa në konviktet dhe shkollat që u përmendën dje me emër?
“Ky djaloshi”, siç më keni quajtur ju, po kërkon përgjegjësi, sepse ju jeni të përzgjedhurit e popullit dhe pjesë e qeverisë, dhe keni detyrim t’i arsyetoni politikat që po rezultojnë diskriminuese.
