DHËNDRRI I IZET MEXHITIT EMËROHET DREJTOR I AGJENCISË SË REZERVAVE SHTETËRORE – A MBETI NDONJË I AFËRM I MEXHITIT PA FUNKSION UDHËHEQËS?
Emërimi më i fundit i dhëndrrit të Izet Mexhitit, Besim Koka, në postin e drejtorit të Agjencisë për Rezerva Shtetërore, shihet si një tjetër hallkë në zinxhirin e nepotizmit të hapur, të guximshëm dhe sistematik që po praktikon pushteti aktual.
Më herët, një kushëri i parë i Mexhitit ishte emëruar drejtor i MEPSO-s, ndërsa një tjetër kushëri i tij u vendos në krye të NOMAGAS-it. Tani, edhe dhëndrri merr një pozitë udhëheqëse në një institucion shtetëror strategjik.
Institucionet shtetërore gjithnjë e më shumë po shndërrohen në rrjet familjar, ndërsa shteti po trajtohet si pronë private e një klani politik-familjar. Shtrohet pyetja nëse ka mbetur ndonjë i afërm i Mexhitit pa funksion udhëheqës.
Qeverisja aktuale jo vetëm që vazhdon me praktika të vjetra të klientelizmit, por i thellon ato përmes shpërndarjes së funksioneve si privilegje partiake dhe familjare. Për më shumë se një vit qeverisje, lista e skandaleve të lidhura me nepotizmin dhe klientelizmin është bërë tepër e gjatë.
Mesazhi ndaj opinionit publik është nënçmues: sipas kësaj qeverie, në të gjithë Maqedoninë më të aftët rezultojnë të jenë pikërisht të afërmit dhe mbështetësit e koalicionit qeverisës. Ndërkohë, të rinjtë – inxhinierë, ekonomistë, juristë, mjekë – mbeten jashtë sistemit dhe detyrohen të largohen, jo për mungesë pune, por sepse e dinë paraprakisht se sistemi nuk është ndërtuar për ta dhe se dyert janë të hapura vetëm për ata me lidhje gjaku dhe vijë partiake.
