Nga 35.000 deri në 60.000 denarë në muaj, Lotaria Shtetërore e Maqedonisë u paguan personave të jashtëm të angazhuar me kontrata autori ose kontrata për kryerje shërbimesh të caktuara.
Sipas dokumenteve që ka siguruar redaksia e Infomax, numri i këtyre personave është pak më i vogël se 100. Megjithatë, ende nuk ka informacione zyrtare nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë.
Në listat e dokumenteve shfaqen emra të njohur publikë, mes tyre:
- Profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Borçe Davitkovski
- Këngëtarja Adelina Tahiri, e cila posedon edhe shtetësi shqiptare
- Regjisori dhe aktivisti i njohur i VMRO-DPMNE-së, Boris Damovski
- Influencuesi Kristijan Stankovski, i njohur si Bombakis
- Ish-anëtari i Komisionit Juridik të VMRO-DPMNE-së, Gligor Çatmov
Një pjesë e madhe e këtyre personave janë të rinj rreth të njëzetave, ndërsa shumë prej tyre janë anëtarë dhe aktivistë të partive në pushtet.
Sipas dokumenteve, këta persona i kushtojnë Lotarisë Shtetërore mbi 4 milionë denarë çdo muaj.







Redaksia e Infomax ka dërguar pyetje zyrtare drejt Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë, duke kërkuar:
- Sa persona të jashtëm janë të angazhuar me kontrata
- Çfarë detyrash konkrete kryejnë
- Sa janë të ardhurat mujore neto
- Nëse ekzistojnë raporte për punën e tyre
Deri në këtë moment, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare. Në rast se institucionet reagojnë, informacionet do të publikohen si plotësim i këtij lajmi.
Sipas ligjit, Lotaria Shtetërore – si çdo ndërmarrje shtetërore – është e obliguar që pagesat dhe të dhënat financiare t’i publikojë në sistemin “Open Finance”.
Megjithatë, nëse kërkohen këta persona në këtë sistem, nuk figuron asnjë e dhënë, çka ngre dyshime se dikush synon t’i mbajë këto pagesa të fshehta.
Lotaria Shtetërore e Maqedonisë është shoqëri aksionare në pronësi të shtetit, e themeluar për organizimin e lojërave të fatit dhe për kontribut të vazhdueshëm në buxhetin e shtetit për qëllime shoqërore.
Më 5 gusht 2025, për drejtor të Lotarisë Shtetërore u emërua profesori i Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Aleksandar Klimovski, ish-pjesë e ekipit të bashkëpunëtorëve profesionalë të Hristijan Mickoskit, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
