Foli Arben Fetai, e përgojon Ali Ahmetin

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai përmes një postimi në rrjetet sociale ka komentuar miratimin e Ligjit për kundërvajtje dhe zgjedhjen e Faton Selamit për Avokat të Popullit.

Sipas Fetait, këto dy vendime e demaskuan opozitën apo siç thotë, “klikën që mbajti shqiptarët peng me bllokada e skenarë për pazare personale”.

“Sot në Kuvend ranë dy maska përnjëherë. Ligji për kundërvajtje u miratua dhe i hap rrugë ‘Safe city’, një hap që realisht e rrit sigurinë në komunikacion. Po sot u zgjodh edhe Faton Selami si Avokat i Popullit, një profesionist që i duhet vendit. Këto dy vendime e demaskuan klikën që mbajti shqiptarët peng me bllokada e skenarë për pazare personale. Sot tentuan sërish ta keqpërdorin ‘Badenterin’ për interesa të ngushta, duke dashur të prodhojnë një skenar të ngjashëm me atë të ‘Dhomës 161’ të Kuvendit, kur jargativeshin që të rrinë në pushtet. Pra, sot u pa qartë se qytetari për ta është vetëm mjet, ndërsa pushteti është qëllimi”, shprehet Fetai.

Sipas tij i ashtuquajturi “Front Evropian” nuk ekziston dhe ekziston vetëm një grup deputetësh të shpërndarë dhe pa busull.

“Dhe kjo është arsyeja pse anija e Ali Ahmetit është fundosur pa kthim. S’mund të riparohet, sepse është mbështetur te piratët e saj të vjetër politikë. Gënjeshtrën dhe fasadën i kanë pasur A, B, C të tyre, prandaj gjithçka po u rrënohet. Mashtrimi politik kurrë s’është recetë për fitore”, shkruan Fetai.

Back To Top