Foli Fetai, por nuk guxoi para se të fliste Mickoski

Deklarata e zëvendëskryeministrit Arben Fetai për përgjegjësi ligjore në rast shkeljeje të ligjit erdhi vetëm pasi kryeministri Hristijan Mickoski u prononcua për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi pavarësinë politike dhe institucionale të VLEN-it.

Edhe pse Ligji për përdorimin e gjuhëve ka qenë në fuqi dhe obligues për të gjitha institucionet, Ministria e Drejtësisë kishte refuzuar më herët të lejojë zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, pa asnjë bazë të qartë ligjore. Megjithatë, reagimi i Fetait mungoi deri në momentin kur qëndrimi i kryeministrit u bë publik.

Vetëm pas kësaj, Fetai paralajmëroi se, nëse institucionet kompetente konstatojnë shkelje, do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë. Sipas tij, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve janë duke shqyrtuar rastin.

Kritikët theksojnë se ky reagim i vonuar e vë në dyshim vendosmërinë e VLEN-it për të mbrojtur zbatimin e ligjit dhe barazinë gjuhësore, veçanërisht kur bëhet fjalë për ministrat e vet në qeveri. Pyetja që shtrohet është nëse Fetai dhe VLEN do të kishin reaguar njësoj pa sinjalin politik nga kryeministri.

Në fund, dilema mbetet e hapur: a do të shkojë kjo çështje deri në fund me masa konkrete, apo do të mbetet edhe një rast tjetër ku ligji pranohet vetëm pasi flet kryeministri?

Back To Top