Furkan Saliu: “FFM po gënjen” – Faktet do të flasin

Gazetari Furkan Saliu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Federata e Futbollit e Maqedonisë (FFM), duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke paralajmëruar publikimin e fakteve dhe videove që, sipas tij, do ta zbardhin të vërtetën.

Saliu thotë se nga FFM është akuzuar se po përpiqet të krijojë përçarje dhe urrejtje, ndërkohë që – sipas tij – e njëjta federatë nuk ka ndërprerë asnjë ndeshje për shkak të fyerjeve mbi baza kombëtare. Ai thekson se debati rreth largimit të një flamuri në Singeliç është zhvilluar para dhjetëra personave, përfshirë edhe zyrtarë policorë.

Sipas tij, delegati i ndeshjes ka kontaktuar FFM-në dhe për këtë arsye ndeshja është zhvilluar me vonesë. Ai fton opinionin të krahasojë orarin e fillimit të ndeshjes ShkëndijaPrespa me ndeshjet e tjera të ditës, duke pretenduar se vonesa ka ardhur për shkak të moslejimit të fillimit pa u larguar flamuri.

Në reagimin e tij, Saliu ngre edhe një sërë pyetjesh që lidhen me politizimin e futbollit dhe konfliktin e interesit. Ai përmend praninë e Masar Omeragiqit në aktivitete private me figura politike, si dhe çështje që lidhen me mbrojtjen e lojtarëve të caktuar nga referët. Gjithashtu, ai pyet pse selektori i përfaqësueses është njëkohësisht trajner i Vardar dhe ngre dilema për akomodimin e reprezentuesve në hotelin e Goran Pandev.

“Unë flas me fakte – shumë shpejt edhe me video,” ka deklaruar Saliu, duke shtuar se e vërteta, sipas tij, nuk mund të fshihet.

Back To Top