Goditje e re për Muzeun e Manastirit VETËM 1600 EURO PËR ALFABETIN!

Këtë vit shënohet 114 vjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, por Muzeu i Alfabetit është financuar me vetëm 100 mijë denarë për manifestimin solemn, duke hedhur poshtë çdo mundësi jo vetëm për zhvillimin e “Javës kulturore”, por edhe të vetë ditës – 22 Nëntorit. Në zgrip të funksionimit dhe ekzistencës, nga Muzeu nuk i gjejnë dot shkaqet, sepse kërkesa e tyre për një fond prej 3 milonë denarësh, u reduktua në një shumë prej 400 mijë denarësh  

Evis HALILI

Shkup, 3 mars – Nëse vitin e kaluar, fondi prej 250 mijë denarë për të shënuar “Javën e shkronjave” u cilësua skandaloz, në buxhetin e këtij viti Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka rezervuar një surprizë të hidhur për Muzeun e Alfabetit. Vetëm 100 mijë denarë janë ndarë për të mbështetur ngjarjen më të rëndësishme për kulturën dhe historinë shqiptare – 22 Nëntorin. Në total, Programi vjetor i punës për institucionin nacional nuk arrin as 500 mijë denarë (410 mijë denearë), sipas vendimit të komunikuar këto ditë, shkruan gazeta KOHA.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit nuk ka miratuar dy projekte: Programin edukativ për nxënës “Të mësojmë historinë e Abetares”, që muzeu e realizon prej disa vitesh, si edhe “Projektin për trashëgiminë e muzeve që na lidhin”. Projektet e tjera të mbështetura, gjithsej pesë, variojnë nga 50.000 e deri në 100 mijë denarë. Blerje materialesh dhe objektesh muzeale (50 mijë denarë), Punëtori edukative (60 mijë denarë), Përgatitje dhe publikim propagandistik (100 mijë), Program edukativ për muzetë (100 mijë denarë), ndërsa zëri “Përkujtim solemn i festës nacionale 22 Nëntori” ka përfituar dy herë më pak sesa një vit më parë dhe shumëfish më pak sesa vitet e kaluara, duke vënë në pikëpyetje sërish zhvillimin jo vetëm të javës kulturore (14-22 nëntor), por edhe të vetë festës.

Drejtori Nuer Asllani thotë prerazi se me këto lloj shumash, nuk shërbejnë për asgjë dhe se në total buxheti i këtij viti për institucionin nacional është skandaloz.

“Kërkuam buxhet prej 3 milionë denarë për realizmin e Programit të punës për këtë vit, por shuma u reduktua në vetëm 400 mijë denarë, që janë jashtëzakonisht pak. Të mos flasim për Javën e Kongresit, me 100 mijë denarë nuk bëhet absolutisht asgjë”, thotë Arsllani. Në zgrip të funksionimit dhe ekzistencës, nga Muzeu nuk i gjejnë dot shkaqet, sepse kërkesa e tyre për një fond prej 3 milonë denarësh, u reduktua në një shumë prej 400 mijë denarësh.

Ndërkohë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, pak ditë më parë theksoi se buxheti i përgjithshëm i MKT për vitin 2026 është mbi 5 miliardë denarë, ose 519 milionë denarë më shumë sesa vitin e kaluar. Buxheti për projekte me interes nacional në kulturë është 1 miliardë e 70 milionë denarë. “Ky është një mesazh i qartë dhe i pakundërshtueshëm se kultura ka mbështetje dhe se shteti qëndron pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të saj kulturorë”, theksoi Ljutkov. Edhe kreu i ekzekutivit Hristijan Mickoski deklaronte se kultura mbetet një nga prioritetet kryesore për 2026, me buxhet prej gjysmë miliard denarë më shumë, ose 25 milionë euro që do të ndahen për kulturën.

Back To Top