Aktori i njohur shqiptar Xhevdet Jashari ka reaguar ashpër përmes një shkrimi publik, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut.
Në shkrimin e tij, Jashari rikujton deklaratat e mëhershme të Kurtit, kur ky i fundit kishte theksuar se në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe nuk ekziston realisht si gjuhë zyrtare, por vetëm në letër. Sipas Jasharit, sot situata është edhe më shqetësuese, pasi po vihet në dyshim vetë ekzistenca e Kosovës si shtet.
“Hajde tash Albin Baba, kur thojshe s’ka gjuhë shqipe, tash hajde thuaje edhe a ekziston Kosova si shtet për Maqedoninë e Veriut”, shkruan Xhevdet Jashari në reagimin e tij.
Ai i referohet publikimit të një libri në Maqedoninë e Veriut, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë, duke përdorur termin “Kosovo i Metohija”, gjë që ka nxitur reagime të forta në opinionin publik shqiptar.
Jashari kërkon nga Kurti një qëndrim të qartë dhe publik, duke theksuar se heshtja në raste të tilla është e papranueshme. Sipas tij, kryeministri i Kosovës duhet të sqarojë hapur këtë çështje edhe me autoritetet e Shkupit, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesit shqiptarë në pushtetin aktual.
Reagimi përmbyllet me pyetjen direkte të aktorit:
“A është Kosova Republikë apo ‘Kosovo i Metohija’?”, një pyetje që, sipas tij, kërkon përgjigje të menjëhershme institucionale.
Ky shkrim i Xhevdet Jasharit ka ngjallur debat të gjerë në rrjetet sociale, duke rritur presionin publik për reagim zyrtar nga institucionet e Kosovës dhe faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
