Hyseni: Shqipëria kurrë nuk ka pasur në Shkup një ambasador si Denion Meidani

Gazetari Blerim Hyseni vlerëson se Shqipëria, ndër vite, nuk ka pasur në Maqedoninë e Veriut një ambasador kaq aktiv dhe të pranishëm sa përfaqësuesi aktual diplomatik, Denion Meidani.

Në një koment të tij, Hyseni thekson se për një periudhë të gjatë, ambasadorët shqiptarë në Shkup kanë ushtruar më tepër një rol formal dhe protokollar, sesa atë të një përfaqësuesi të vërtetë shtetëror, i cili – sipas obligimeve kushtetuese – duhet të kujdeset jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, por edhe për interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ambasadori Meidani jo vetëm që ka qenë në krye të detyrës, por ka zhvilluar një agjendë të ngjeshur dhe permanente, duke realizuar takime me shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe duke qenë i pranishëm aty ku duhet”, shkruan Hyseni.

Sipas tij, pikërisht ky angazhim i vazhdueshëm duket se po shqetëson qarqe të caktuara. Hyseni vlerëson se kritikat ndaj ambasadorit Meidani nuk janë rezultat i një debati të sinqertë, por më tepër një përpjekje për ta goditur në mënyrë indirekte.

“Bëhet fjalë për marrje në dorë të bajrakut të huaj – gjuajtje guri dhe fshehje dore”, thekson gazetari, duke shtuar se është më e lehtë të kritikohet një ambasador sesa një ministër që, sipas tij, shfaq hapur nacionalizëm në dëm të shqiptarëve.

Në këtë kontekst, Hyseni e sheh ambasadorin Denion Meidani si një përjashtim pozitiv nga praktikat e mëhershme diplomatike të Shqipërisë në Shkup, duke nënvizuar se prania dhe angazhimi aktiv diplomatik nuk duhet të jenë arsye për sulme politike apo mediatike.

Back To Top