“Sot jemi mbledhur këtu për inaugurimin e… tabelës. Sepse objekti nuk ekziston.”
Me këto fjalë nisi reagimi i një grupi të rinjsh në Çair, aty ku sipas prezantimeve zyrtare duhej të ndërtohej një Qendër Rinore moderne. Sipas tyre, qytetarëve u janë prezantuar pamje 3D dhe plane zhvillimore, ndërsa në terren nuk ka asnjë shenjë ndërtimi.
“Foto 3D kemi parë. Fjalime kemi dëgjuar. Realizim? Zero,” u shprehën të pranishmit, duke theksuar se projekti ka mbetur vetëm në nivel premtimi.
Ata rikujtuan se ishte prezantuar edhe një “masterplan” për zhvillimin e zonës, ndërsa sot, sipas tyre, mungesa e punimeve konkrete ngre dyshime serioze mbi realizimin e investimit.
“Nuk është vetëm çështja e këtij projekti. Është mënyra si trajtohen qytetarët dhe sidomos rinia. Është ideja se të rinjtë nuk mbajnë mend,” thuhet në reagim.
Sipas tyre, Çairi është lodhur nga premtimet boshe dhe projektet që mbeten në letër. Ata kërkojnë më shumë transparencë, përgjegjësi dhe realizim konkret të investimeve të paralajmëruara.
Thirrja përfundimtare ishte për bashkim dhe angazhim qytetar, me mesazhin se ndryshimi vjen përmes pjesëmarrjes aktive dhe mbajtjes së përgjegjësisë nga institucionet.
