Në këtë bashkëbisedim ekskluziv, sjellim dëshminë e gjallë të një figure qendrore që bëri urën lidhëse mes celulave të para të ilegalës atdhetare dhe triumfit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Ismet Sylejmani, njeriu që përmes mikrofonit të TVSH-së u bë lajmëtari i lirisë për Gjilanin dhe mbarë Karadakun, shpalos një kronikë të pashlyeshme të sakrificës, organizimit ushtarak dhe besnikërisë ndaj idealeve kombëtare.
Nga takimet historike në Shqipërinë e vitit 1991 deri te raportimet mes flakëve të betejave në Zhegoc e Marec.
Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi personale, por një arkivë e memories sonë kolektive, e vulosur me emrat e dëshmorëve dhe emocionin e papërsëritshëm të ditës kur “Zëri i Rrufeshëm” njoftoi botën se prangat shekullore në Gjilan ishin thyer përfundimisht.
Për më tepër, mund ta lexoni në komentin e mëposhtëm
GJILAN – Në këtë intervistë ekskluzive, njeri nga personalitetet më të rëndësishme të jetës politike e shoqërore, Ismet Sylejmani, shpalos detaje historike që nuk janë thënë më parë.
Ai përfaqëson brezin e artë të veprimtarëve që idealin e lirisë e kthyen në projekt jetësor, nga celulat e fshehta të ilegalës deri te uniforma e lavdishme e UÇK-së.
Intelektuali i krahut të luftës, zëdhënësi i Zonës së Karadakut dhe arkitekti i memories kombëtare, vjen në një rrëfim emocional për rrugëtimin e tij mes plumbave dhe shpresës.
1. Kush është Ismet Sylejmani?
Sylejmani: Jam i lindur në fshatin Cernicë të Gjilanit, më 20.07.1964. Arsimin e mesëm e kam përfunduar në Cernicë, Gjilan dhe Ferizaj, ndërsa kam studiuar Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë gjatë viteve 1984-1990.
1. Kur dhe si keni filluar të merreni me aktivitete politike? Çfarë ju shtyu drejt këtij angazhimi?
Sylejmani: Në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) jam anëtarësuar në vitin 1986 në Prishtinë bashkë shokin dhe heroin e kombit Xhevat Qerimi.
Isha bashkëthemelues dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit të Rrethit të LPK-së për Gjilan, Viti dhe Kamenicë. Gjithashtu, isha bashkëorganizator dhe bashkëdrejtues i demonstratave të vitit 1989 dhe 1990 në Gjilan.
Jam një nga themeluesit e Degës së LDK-së në Gjilan, e konfirmuar edhe nga kryetari i degës, Prof. Musa Qerimi, si dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të LDK-së.
Më 4 shkurt 1991, në mbledhjen e jashtëzakonshme te “Mulliri në Prapashticë”, u zgjodha në Komitetin Drejtues, udhëheqja më e lartë e lëvizjes ilegale.
Isha dy herë anëtar i delegacionit të LPK-së në Shqipëri (qershor dhe shtator 1991), ku bashkë me Ahmet Haxhiun, Xhavit Hazirin, Arif Seferin dhe Xhavit Halitin realizuam takimin historik më 17 shtator 1991 me Presidentin Ramiz Alia, për fillimin e ushtrimeve ushtarake të të rinjve nga Kosova në Shqipëri.
Ajo që më shtyu ishte tradita atdhetare familjare: babai i stërgjyshit, Hajdin Sylejmani, ra në betejën ruso-turke në Pleven të Bullgarisë; stërgjyshi im, Sylejman Sylejmani, ishte luftëtar i Idriz Seferit në vitin 1912.
Po ashtu, dajët e mi nga Cernica, tribuni kombëtarë Ramiz Cernica, dhe veprimtarët kombëtar Shefqet, Nazmi e Sami Hoxha.
Pozita e rëndë e popullit nën thundrën serbe dhe dëshira për liri ishin motori im.
1.Kur u rreshtuat në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe si e kujtoni atë periudhë?
Sylejmani: Konsideroj se jam një nga ideatorët e fillimit të organizimit ushtarak, pasi isha pjesëmarrës direkt në fillet e para dhe në nisjen e grupeve për ushtrime në Shqipëri.
Isha i informuar zyrtarisht për emërtimin e UÇK-së që në embrion, më 17 nëntor 1994 në Arau të Zvicrës. Atë periudhë e kujtoj me nderim të madh, ishte koha e aspiratave të mëdha për çlirim.
1. Kur u emëruat zëdhënës i UÇK-së për Zonën e Karadakut?
Sylejmani: Sipas shënimeve personale të anëtarit të Shtabit të ZOK-ut, Selami Neziri (Komandant Agron Hoxha), i cili ishte përgjegjës për financa dhe Komandant i Brigadës “Gursel e Bajram Sylejmani”, emërimi im ka ndodhur më 18 prill 1999.
Zgjedhja ime si Zëdhënës i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së u bë në mbledhjen e Shtabit të mbajtur në selinë e Komandës, në bazën e UÇK-së te Lagjja Hajdaraj në Marec.
1. Si erdhi ky emërim dhe çfarë përgjegjësish përfshinte kjo detyrë?
Sylejmani: Propozimi për t’u emëruar Shef për Informim i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së (Zëdhënës), erdhi nga anëtari i Shtabit të ZOK-ut, Komandant Agron Hoxha – Selami Neziri.
Përgjegjësia e detyrës së zëdhënësit në luftën e armatosur çlirimtare është shumë e madhe, sepse ajo brenda saj ngërthen jo vetëm informacionin, por edhe moralin e lartë luftarak dhe besueshmërinë e madhe të të dhënave që vijnë nga frontet e luftës.
Ky pozicion bart përgjegjësinë për unitetin e radhëve të ushtarëve të lirisë, për ruajtjen e frymës dhe moralit luftarak të njësive të armatosura, por edhe për kultivimin e dashurisë së popullit ndaj të dhënave të sakta, si zëri i lirisë që vinte drejtpërdrejt nga fronti i luftës sonë të armatosur çlirimtare.
1. Sa ishte e vështirë të raportonit nga vatrat e luftës? A mund të na përshkruani një moment veçanërisht të vështirë.
Sylejmani: Sylejmani: Kishte shumë vështirësi, por ato ishin vështirësitë e natyrshme të një lufte të armatosur çlirimtare. Ishin vështirësitë e asaj lufte liri-dashëse, të cilën e kishim ëndërruar ta zhvillonim brez pas brezi, gjysh pas gjyshi.
Sfida u rrit veçanërisht pas Betejës së Zhegocit, ku ofensiva e forcave ushtarake pushtuese serbe ishte shumë frontale dhe e përgjakshme.
Në ato luftime heroike rënë shumë ushtarë, duke derdhur gjakun për liri: Dëshmorët e Kombit Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Tefik e Hanumshahe Zymberi, vëllezërit Hyseni, Sherif Sherifi, si dhe u plagosën shumë luftëtarë.
Ndër ta duhet dalluar heroin e gjallë, Afrim Myrtajn, i cili u godit me më shumë se 12 plumba, por edhe të tjerë si ushtari Fadil e shumë bashkëluftëtarë.
Njësitë luftarake të Zonës, ndonëse pësuan një goditje të madhe, nuk u zmbrapsën. Morali për luftë jo vetëm që nuk ra, por ne u riorganizuam në pjesë të ndryshme të Zonës së Karadakut, ndërsa një pjesë e madhe e reparteve ushtarake u zhvendosën në malet e Marecit.
Për shkaqe taktike dhe për një riorganizim efektiv, një pjesë e madhe e luftëtarëve të Brigadës 171 “Kadri Zeka” kaluan në Marec.
Mirëpo, ushtria gjakatare e Serbisë dhe strategët e saj gjakpirës, duke dashur ta shuanin me çdo kusht çdo vatër të rezistencës tonë të armatosur, kaluan në sulme në front të gjerë, duke sulmuar edhe bazën tjetër të Shtabit të Zonës së Karadakut në Marec.
Në këto kondita të rënda e të jashtëzakonshme, mua m’u ngarkua barra e rëndë, por tejet e lavdishme, për të qenë zëri i fuqishëm i luftëtarëve të lirisë.
Raportoja për TVSH-në, Radio “Kosova e Lirë” dhe Kosovapress mes flakëve të luftës.
1. Raportimet tuaja, përveç informimit, a ndikonin edhe në frymëzimin e vullnetarëve?
Sylejmani: Po, drejtpërdrejt. E përjetonim me admirim kur shihnim se si raportimet tona rritnin numrin e vullnetarëve.
Ishte sinjal se lufta jonë ishte e drejtë dhe po përkrahej masivisht nga populli.
1. Keni qenë pjesë e delegacionit në takim me Ramiz Alinë. Sa ishte i rëndësishëm ai takim?
Sylejmani: Ishte një fat i madh për mua, për Gjilanin dhe Cernicën, që të isha pjesë e delegacionit të parë zyrtar të LPK-së në Shqipëri për organizimin e ushtrimeve ushtarake. Ky takim hapi rrugën për përgatitjen e forcave tona të armatosura – UCK.
1. Cilat ishin detyrat tuaja më të rëndësishme pas çlirimit të Kosovës?
Sylejmani: Isha Kryetar i Këshillit për Rivarrim të Dëshmorëve të Kombit në nivel të Zonës së Karadakut.
Kam mbajtur fjalimet lamtumirëse në Gjilan, Viti e Kamenicë gjatë rivarrimit të dëshmorëve tanë.
1. Pas luftës, cili ishte angazhimi juaj në TMK dhe cili rrugëtim pasoi pas largimit nga ky institucion?
Sylejmani: Pas demilitarizimit të UÇK-së, u krijua vazhdimësia e saj natyrale përmes Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Unë kam qenë pjesë e TMK-së që nga dita e parë e themelimit të saj. Pas bashkimit të Zonës së Karadakut dhe asaj të Nerodimes në një zonë të vetme, u formua Zona e 6-të e TMK-së.
Unë isha i vetmi nga ish-Zona Operative e Karadakut të cilit iu besua vazhdimi i të njëjtes pozitë sikurse në kohën e luftës në UÇK, pra asaj të Shefit për Informim dhe Zëdhënësit të Zonës së 6-të të TMK-së.
Nga TMK jam larguar më 23 dhjetor 1999 dhe menjëherë jam kyçur në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), ku kam ushtruar funksionin e Zëdhënësit të LPK-së në nivel qendror dhe atë të Kryetarit të Këshillit të Rrethit të LPK-së në Gjilan.
Gjatë kësaj kohe, si pjesë e LPK-së, kam qenë aktivisht i angazhuar në themelimin e UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Në cilësinë e Kryetarit të LPK-së për Gjilan, kam qenë organizator i dy tubimeve të mëdha popullore që lanë gjurmë:
* Më 31 mars 2000, organizova Tubimin Popullor për nder të ngjarjeve historike të vitit 1981.
* Më 31 maj 2000, organizova Tubimin Popullor në nderim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolit të tyre në Kosovë.
1. Jeni shumë aktiv në publicistikë. Nga buron kjo energji për të shkruar?
Sylejmani: Kjo energji buron nga përvoja ime e gjatë si gazetar. Para luftës isha gazetar i “Zërit të Kosovës”, organ i LPK-së, si dhe bashkëthemelues i gazetës “VATRA” në vitin 1993 në Gjilan. Gjatë dhe pas luftës, angazhimi im vazhdoi me shkrimet e informatave në Zonën Operative të Karadakut në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me njoftimet në Brigadat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Lidhjet e ngushta me udhëheqësin, shokun e bashkëluftëtarin Ali Ahmeti, si dhe përpilimi i dokumenteve të tjera zyrtare në UÇPMB, duke qenë se e kam pasur shok dhe bashkëluftëtar të ngushtë Komandantin dhe Përfaqësuesin Politik të UÇPMB-së, Jonuz Musliun, më japin mjaftueshëm elan dhe energji shtesë e të pashtershme për të shkruar e për të mos u ndalur kurrë!
Më obligon të shkruaj pa pushim e kaluara ime në LPK, UÇK, UÇPMB dhe UÇK-në e Maqedonisë së Veriut!
1. Ku është sot Ismet Sylejmani dhe me çfarë merret aktualisht?
Sylejmani: Aktualisht jam jashtë organizimit aktiv partiak. Merrem me afarizëm familjar dhe jam opinionist i lirë në gazetën “Epoka e Re”, ku merrem me analiza politike e organizime përkujtimore kombëtare.
1. A ka ndonjë kontribut humanitar apo shoqëror që do ta veçonit?
Sylejmani: Vepër timen direkte konsideroj ngritjen e Pllakës Nderuese të UÇK-së te shtëpia e Rexhep Malajt në Gjilan, Obeliskun e Afrim Zhitisë në Llugë, shtatoren e Ramiz Cernicës në Gjilan dhe nderimin e nënës së UCK, nënës Stanë Pjetër Gashi.
1. Dhe krejt në fund, cili është momenti më i lumtur i jetës suaj?
Sylejmani: Pa asnjë dyshim, momenti më I lumtur për mua mbetet, kur kam bërë njoftimin në Televizionin Shqiptar (TVSH) për çlirimin e Gjilanit.
Ishte një emocion që nuk përshkruhet me fjalë.
DOKUMENTI HISTORIK: Njoftimi i çlirimit të Gjilanit (16.06.1999)
Për lexuesit e portalit, Ismet Sylejmani sjell tekstin origjinal të njoftimit që i dha fund pritjes shekullore:
INFORMATË
Ngjarje historike për Zonën Operative të Karadakut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e prirë nga Komandanti i Shtabit të ZOK-ut Ahmet Isufi-Rexha, hyri në qytetin e Gjilanit.
Gëzimi dhe dashuria janë të jashtëzakonshme.
Populli ka dalë në rrugë, sheshet janë plot.
Brohoritet për UÇK-në, për Komandantin Legjendar Adem Jashari e për Kryeministrin Hashim Thaçi.
Thirrjet “Hej dilni se kanë ardhur luftëtarët e lirisë” gjëmojnë si krater vullkani.
16.06.1999 – Shërbimi për Informim Publik, Zona Operative e Karadakut
Intervistën e zhvilloi: Fehmi Sylejmani, redaktor i dita24h.com
