Ja pafshin sherrin!” – Dorëheqja e ashpër e Bedri Likës trazon BFI-në

Bedri Lika ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i anëtarit në organin më të lartë të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, përmes një deklarate publike të shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Në reagimin e tij, Lika u është drejtuar hoxhallarëve dhe 49 votuesve që e mbështetën, duke theksuar se ishte zgjedhur me më së shumti vota në nivel të Muftinisë së Shkupit dhe në nivel republikan.

Ai ka renditur si arsye të dorëheqjes “padrejtësinë e vazhdueshme, mungesën e transparencës dhe mos ekzistimin e kritereve në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe organeve të tjera”.

“Me keqardhje, në BFI të Maqedonisë së Veriut çdo gjë përjetohet, por jo drejtësi, transparencë dhe meritokraci”, ka shkruar Lika.

Në fund të deklaratës, ai ka përdorur tone të ashpra, duke theksuar: “Ja pafshin sherrin gjithë ata që po e kultivojnë dhe po heshtin ndaj zullumit!”

Dorëheqja e tij dhe deklaratat e forta pritet të ngjallin reagime brenda strukturave të BFI-së dhe në opinionin publik.

Back To Top