Rrjeti i bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë ka marrë një shtysë të re pas takimit të zhvilluar në Stamboll, ku drejtuesit e ASKON u pritën nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në këtë takim, një rol të rëndësishëm pati edhe Bilal Kara, njëherësh Konsull Nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir dhe kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në ASKON. Ai përfaqësoi interesat e komunitetit të biznesit, duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve të ndërsjella dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Gjatë bisedimeve u diskutuan zhvillimet aktuale ekonomike, strategjitë e rritjes së bazuar në prodhim dhe eksport, si dhe pritshmëritë e sektorit real. Kara nënvizoi rëndësinë e krijimit të urave të reja bashkëpunimi ndërmjet sipërmarrësve nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia, duke e konsideruar këtë si një hap kyç për zhvillimin rajonal dhe forcimin e partneritetit afatgjatë.
Takimi u vlerësua si një moment i rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve mike.
